Sot me fillim nga ora 10, drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj dhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), Shaip Havolli, kanë mbajtur një konferencë për medie, në të cilën prezantuan Rregulloren më të re për parandalimin e konfliktit të interesit.
Kreu i ATK-së, Ilir Murtezaj gjatë konferencës tha se bazuar në rezultatet e anketave të bëra kohë më parë ka rezultuar që kohëve të fundit ka një perceptim më të lartë të qytetarëve në lidhje me korrupsionin. Rregullorja e ashtuquajtur Rregullore e Brendshme për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, tashmë ka marrë edhe miratimin e menaxhmentit të ATK-së.
“Institucioni jonë në bashkëpunim me AKK-në dhe organizatat tjera kemi arritur që të zhvillojmë këtë rregullore dhe ta miratojmë si të tillë. Rregullorja ka për qëllim poashtu parandalimin e konfliktit të interesit të gjithë stafit të ATK-së”, është shprehur Murtezaj.
Përveç kësaj, ai ka treguar se po përpiqen që të rrisin transparencën dhe llogaridhënien në këtë institucion.
“Lufta kundër korrupsionit nuk mund të luftohet vetëm nga një institucionin i vetëm, andaj ne kemi bashkëpunim të mirë me institucionet tjera si Policinë, gjykatat e prokurorinë”.
Gjithashtu ai ka thënë se në rregullore parashihet që tu ndalohet marrja e dhuratave që bien ndesh me ligjin.
Ndërkohë, drejtori i AKK-së, Shaip Havolli ka thënë se ligji trajton të gjithë të punësuarit në institucionet publike sa i përket konfliktit të interesit.
Ai ka theksuar se ka pasur raste që zyrtarë të ATK-së, që e kanë shkelur këtë ligj duke poseduar biznes dhe duke mos e deklaruar atë.
“Kemi hasur që zyrtarët të ATK-së kanë biznese dhe nuk i kanë deklaruar ato. Duke parë këto jemi dakorduar për hartimin e rregullores së brendshme. Ky ligj ka filluar t’i jap produktet e para. Ne do t’i ndalim ndihmë ATK-së për zbatimin e kësaj rregulloreje”, është shprehur Havolli. /Buletini Ekonomik/