Ndahen 10 milionë euro, familjet do të subvencionohen me kredi konsumuese

Bankënota prej 500 eurove (ilustrim)

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka marr vendim që të ndahen 10 milionë euro për mbështetje të likuiditetit familjar në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë paraqitjes së këtij propozimi ka thënë se me anë të masës 3.6, familjet do të subvencionohen me kredi konsumuese.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, kjo masë pritet t’ua lehtësoj familjeve lehtësimin e shpenzimeve sezonale.

“Përmes këtij vendim-propozimi, Ministria e Financave propozon ndarjen e 10 milionë eurove për zbatimin e masës 3.6 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht mbështetja për likuiditetin familjar”, ka njoftuar Murati, përcjell Telegrafi.

Ai ka njoftuar se janë takuar me akterët e interesit dhe se shumë shpejtë do të nis zbatimi i kësaj mase.

“Me anë të kësaj mase mbështesim amvisërinë pra familjet duke u subvencionuar me kredi konsumuese ashtu që ta kenë sa më të lehtë përballimin e shpenzimeve sezonale. Mjetet e ndara për këtë masë merren nga Programi i Ringjalljes Ekonomike. Kemi filluar takimin me akterë të interesit lidhur me operimin dhe racionalizmin e kësaj mase, andaj pritet që shumë shpejtë zbatimi dhe subvencionimi i saj”, ka përfunduar ai.

Ditë më parë, ishin marr disa vendime që kanë të bëjnë për ata që kanë humbur anëtarët e familjes nga COVID-19, ndihmë për familjet me nevojë me kuponë ushqimor dhe ndihmë për lehonat.

Për masën 3.1 janë ndarë 4 milionë euro e që është për ata që kanë humbur familjarët nga COVID-19, për masën 3.5 janë ndarë 1 milionë euro për kupona ushqimor për familjet në nevojë dhe për masën 3.5 janë ndarë 7 milionë euro për pagesa për lehonat dhe shtesat e fëmijëve.

Gjithashtu janë ndarë 2.7 milionë euro për pagesa shtesë për personelin mjekësor. Në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, janë ndarë 15 milionë euro për krijimin e vendeve të reja të punës, që është zbatimi i masës 1 për mbështetje të punësimit.

Mё tutje, nё zbatim tё masës 2.1 – Subvencionimi i kredive investive, Qeveria ka ndarë 10.43 milionё euro për subvencionimin e kredive investuese të bizneseve prodhuese e përpunuese.