Bankat kosovare ndajnë 50 mijë euro për procesin e vaksinimit

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se bankat anëtare të Shoqatës së Bankave të Kosovës kanë nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi me Ministrinë e Shëndetësisë përmes së cilës bankat kanë ndarë shumën prej 50,000 Euro për të mbështetur procesin e vaksinimit në Kosovë, raporton Gazeta Express.

Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija ka thënë se duhet të bëhet më shumë për të mbështetur procesin e vaksinimit.

“Duke qenë se vaksinimi është përgjigjja në luftën kundër pandemisë, të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të mbështetur këtë proces”, është shprehur Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa, nga MSH janë shprehur mirënjohës për ndihmën e ofruar.

“Si Ministri e Shëndetësisë, jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që sektori bankar po jep për të luftuar pandeminë”, tha Drin Podrimqaku, Këshilltari Politik i Ministrit Vitia.

“Ky donacion do të pranohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe do të vendoset në dispozicion të personelit mjekësor dhe vullnetarëve të ekipeve të vaksinimit në Kosovë”, theksoi Faik Hoti, Udhëheqës i Divizionit të Komunikimit me Publikun në Ministri të Shëndetësisë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për këtë donacion.