Bankat refuzuan rreth 16% të aplikimeve për kredi në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kjo normë ka shënuar rënie në të gjithë segmentet e klientelës, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë, çka sinjalizon në thelb një lehtësim të ofertës për kredi nga sektori bankar shqiptar.
Që nga gjysma e dytë e vitit 2017, përqindja e refuzimit të kredive kishte qenë në rritje dhe vitin e kaluar kjo tendencë me shumë të ngjarë u ndikua edhe nga pandemia. Por, në 6-mujorin e parë të këtij viti, përqindja e rritjes së refuzimeve është frenuar dhe bankat janë treguar më të hapura për të mbështetur kredimarrësit potencialë.
Duke analizuar normën e refuzimit të aplikimeve sipas origjinës së kapitalit të bankave, duket qartë një diferencë mes bankave me kapital vendas dhe atyre me kapital të huaj. Për bankat me kapital të huaj norma totale e refuzimit të aplikimeve për kredi është 21.1%: e thënë ndryshe, këto banka refuzojnë afërsisht një në çdo pesë aplikime për kredi. Megjithatë, norma e refuzimit ka rënë ndjeshëm krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, kur ishte në nivelin 28.8%.
Për bankat me kapital vendas norma e refuzimit të kredive është shumë më e ulët, me vetëm 8.3% në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, megjithëse është rritur lehtë nga niveli 7% i gjashtëmujorit të kaluar. Kjo e dhënë konfirmon faktin se në përgjithësi bankat vendase në vitet e fundit kanë qenë më të prirura për të rritur huadhënien dhe për të fituar pjesë tregu.
Megjithatë, pjesërisht shkalla më e lartë e refuzimit te bankat e huaja pjesërisht mund të shpjegohet edhe me numrin më të madh të apikimeve që ato marrin, për shkak të pjesës më të madhe të tregut dhe numrit më të lartë të klienëtve.
Gjatë gjashtëmujorit të parë 2021, bankat raportuan se kanë marrë në shqyrtim gjithsej 67 mijë aplikime për kredi. Numri total i aplikimeve për kredi të shqyrtuara nga bankat ka rënë me 21% në terma gjashtëmujorë, por është rritur me 25% në terma vjetorë. Rritja në terma vjetore është diktuar nga segmenti i individëve, ndërkohë që numri i aplikimeve të shqyrtuara nga kategoria “ndërmarrje të vogla dhe të mesme” dhe “ndërmarrje të tjera” (përfshihen kryesisht ndërmarrjet e mëdha), ka rezultuar në rënie.
Nga këto shifra mund të konkludohet se ecuria e numrit të aplikimeve të shqyrtuara nga bankat gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, tregon për një kërkesë për kredi në rritje (në terma vjetorë) nga sektori i individëve dhe një kërkesë ende të moderuar nga sektori i bizneseve. Ecuria e kërkesës, në vija të përgjithshme, duket se përputhet edhe me tendencat e huadhënies, që gjatë këtij viti është zgjeruar sidomos në segmentin e individëve, ndërsa ka qenë në rënie për atë të bizneseve.
Për gjysmën e parë të këtij viti, 93% e aplikimeve për kredi bankare u takonin individëve dhe pesha e tyre në strukturën e aplikimeve totale është rritur më shumë krahasuar me një vit më parë./Monitor.al/