Euro nuk e ndal rënien, zbret në nivelin më të ulët nga shtatori 2019

Monedha e përbashkët nuk po e ndal rënien në tregun vendas, e ndikuar nga efektet sezonale që ushtrojnë presion për nënçmimin e saj gjithnjë në gjysmën e parë të muajit gusht.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 121.47 lekë, duke rënë me 0.03 lekë në raport me ditën e mëparshme. Që nga fillimi i javës, monedha e përbashkët është nënçmuar me gati 0.2 lekë.

Ky është niveli më i ulët që nga shtatori 2019, kur euro këmbehej me 121.44 lekë. Në verë të 2019-s, euro zbriti nën 121 lekë për herë të parë në 11 vite.

Reklama e sponzorizuar

Arsyet e rënies se monedhës së përbashkët krahas efekteve sezonale si rrjedhojë e prurjeve të turistëve dhe emigrantëve, sipas aktorëve të tregut lidhen edhe me flukset e larta të valutës informale që hyjnë në vend. Në kahun tjetër kërkesa për valutë dhe tërheqja e saj nga bizneset mbetet në nivele shumë të ulëta.

Edhe në bursat ndërkombëtare euro ka qenë e dobët. Ditën e sotme një euro u këmbye me 1.185 dollarë niveli më i ulët në gati dy muaj, si rrjedhojë e pasigurive që qëndrojnë në ekonomi nga një valë e re e infeksioneve.

Edhe në tregun e brendshëm dollari ishte me rritje sot, duke u këmbyer me 102.45 lekë, ose 0.21 lekë më shumë se një ditë më parë.
Euro është këmbyer mesatarisht me 122.8 lekë, për periudhën janar- 4 gusht, nga 123.7 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 123.5 lekë në janar-gusht 2019.

Burimi: Banka e Shqipërisë