Shteti i Kosovës gjatë vitit 2020 ishte detyruar t’i rrisë huamarrjet e brendshme dhe të jashtme, në mënyrë që ta financojë menaxhimin e pandemisë Covid-19. Kjo ka bërë që edhe borxhi publik në vend të rritet.
Sipas të dhënave zyrtare nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në fund të vitit 2020 niveli i borxhit publik ishte 21.83 përqind e Bruto Produktit Vendor, ose 6,961 milionë euro.
Buxheti i Kosovës përveç të hyrave të rregullta, financohet edhe nga huamarrjet e brendshme dhe të jashtme, të cilat në fund të vitit 2020 kishin arritur shumën prej 1,487.7 milionë euro, duke mos i llogaritur edhe 31.6 milionë euro garancione shtetërore, konstaton Auditori i Përgjithshëm.
Prej totalit të borxheve, 525.8 milionë euro janë borxhe të jashtme dhe 961.9 milionë euro borxhe të brendshme, përcjell Buletini Ekonomik.
“Rritja e borxhit të përgjithshëm gjatë vitit 2020 (përfshirë edhe garancionet) ishte 275.6 milionë €”, thuhet në raportin e Auditimit për vitin 2020.
Në këtë rritje të borxhit, ZKA-ja thotë se ka ndikuar borxhi i marrë nga shteti për financimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, për shkak të nevojave më të mëdha sesa burimet që ka në dispozicion.
Ndërkohë, buxheti total për vitin 2020 për financimin e projekteve kapitale nga huamarrja në Kosovë, ishte 153,1 milionë euro kurse shpenzimi ishte 37,1 milionë euro apo 24.2%.
ZKA-ja thekson se problemi kyç lidhur me këto borxhe është mosefikasiteti i shpenzimeve të fondeve të marra si hua të jashtme, për shkak se Organizatat Buxhetore ishin ballafaquar me probleme me shpronësimet te projektet e infrastrukturës, ndarjet buxhetore ishin të pa-harmonizuara me dinamikën e projektit, paqartësitë lidhur me procedurat e prokurimit, kurse konsolidimi i njësive zbatuese të projekteve ishin ballafaquar me vështirësi në procesin e rekrutimit dhe mbajtjes së stafit, futjes në buxhet të disa projekteve për të cilat kreditë nuk ishin ratifikuar marrëveshjet në Kuvend si dhe efektet që kishte shkaktuar pandemia Covid-19.
Si rrjedhojë e kësaj, në disa projekte situata pandemike kishte ndikuar në ndërprerjen e punimeve në shumë projekte, kurse në rastet e tjera kishte shkaktuar vonesa administrative. /Buletini Ekonomik/