Dëshmitari thotë se janë investuar rreth 7 milionë € në hidrocentralin e Lumbardhit

Dëshmitari Blerim Krasniqi ka thënë se kompania ku ai punon kishte investuar rreth 7 milionë euro në Hidrocentralin e Lumbardhit.

Këtë deklarim ai e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin “Afera e Hidrocentraleve” ndaj katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe dy të akuzuarve të tjerë Fëllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.

Për këtë rast, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe Fëllanza Hoxha e Arben Gjuka po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.Gjatë përgjigjeve në pyetjet e prokurorit special, Atdhe Dema, dëshmitari Krasniqi ka mbetur në tërësi pranë deklaratës së dhënë në polici më 29 maj 2018, raporton “Betimi për Drejtësi.

Reklama e sponzorizuar

Krasniqi tha se ai punon si menaxher i financave në kompaninë “Triangle General ContractorS-INC”. Sipas tij, kjo është degë e “Triangle” në New York e cila në Kosovë merret veçanërisht me ndërtimin dhe rindërtimin e hidrocentraleve.

Siç tha Krasniqi, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në atë kohë kishte hapur tenderë për rindërtimin e hidrocentraleve, dhe në bazë të kritereve që KEK-u kishte caktuar, kjo kompani kishte konkurruar dhe në konkurrencë i kishte plotësuar kushtet me ç’rast ishte shpallur fitues. Lidhur me procedurën e koncesionit të hidrocentraleve, dëshmitari ka treguar se ka qenë përgjegjës për financa dhe nuk i dinë detajet për rrjedhën e kësaj procedure./Media Ndërtimi/