Fitimi i sektorit bankar u zgjerua më tej me rreth 700 milionë lekë për muajin korrik.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, rezultati financiar neto për 7-mujorin arriti në rreth 11.3 miliardë lekë.
Deri tani, sektori bankar po raporton një performancë financiare më të mirë krahasuar me vitin e kaluar. Fitimi neto rezulton në rritje me 31% krahasuar me 7-mujorin e vitit 2020.
Të dhënat mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë mbështeten në standardet lokale të mbikëqyrjes dhe mund të kenë diferenca me rezultatet që bazohen në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar dhe që zakonisht bankat i raportojnë me frekuencë tremujore.
Rritja e fitimeve ka ndikuar edhe përmirësimin e treguesve kryesorë të rentabilitetit. Kthimi nga kapitali i sektorit bankar, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të korrikut rezultoi 11.71%, nga 9.39% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prej fundit të vitit të kaluar, kthimi nga kapitali i sistemit po qëndron në nivele dyshifrore dhe pranë mesatares së pesë viteve të fundit. Edhe kthimi mesatar nga aktivet paraqitet i përmirësuar në 1.27%, nga 1.05% që kishte qenë një vit më parë.
Rritja e fitimeve dhe përmirësimi i rentabilitetit të sektorit bankar gjatë këtij viti pasqyron në radhë të parë një ecuri pozitive të treguesit të kredive me probleme, që po vijon një rënie të ngadaltë dhe tashmë është në nivelet më të ulëta që prej vitit 2009.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit korrik ky raport shënoi nivelin 7.0.5%, nga rreth 8.12% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ekonomia shqiptare këtë vit po jep sinjale rimëkëmbjeje, pasi vitin e kaluar pandemia solli rënien më të fortë që prej vitit 1997. Përmirësimi i aktivitetit ekonomik ka ndikuar në ruajtjen e aftësisë paguese të huamarrësve, por edhe në rritjen e kredidhënies së re, sidomos në segmentin e individëve.
Ulja e kredive me probleme nënkupton më pak shpenzime për provigjione, që zakonisht japin ndikimin kryesor në luhatjet afatshkurtra të fitimeve të bankave tregtare. Sektori ka shfaqur një performancë në përmirësim edhe për sa i takon bazës së të ardhurave.
Deri në fund të 6-mujorit, të ardhurat nga komisionet u rritën me 22%, ndërsa të ardhurat neto nga interesat u rritën me 8.3%. Të ardhurat nga komisionet u ndikuan ndjeshëm nga pandemia, sidomos në gjysmën e parë të vitit të kaluar. Rënia e volumit të veprimeve për shkak të krizës, por edhe kufizimet e mëdha të lëvizjes dhe orareve të biznesit sollën edhe rënien e ndjeshme të transaksioneve bankare.