Italia parashikon që deficiti buxhetor i vitit 2021 të jetë nën 10% të prodhimit kombëtar, shumë më poshtë objektivit prej 11.8% të vendosur në prill, pasi ekonomia po rimëkëmbet më shpejt nga sa pritej fillimisht, deklaroi një burim për Reuters.
Në parashikimet e fundit të publikuara në prill, Departamenti i Thesarit vlerësoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rritet me 4.5% pas tkurrjes rekord prej 8.9% në vitin 2020, kur masat e zgjatura kufizuese dëmtuan ekonominë.
Sidoqoftë, të dhënat e fundit kanë qenë më pozitive se sa pritej dhe ministri i ekonomisë Daniele Franco tha të dielën se rritja prej më shumë se 5.8% tani dukej e mundur, me një ndikim pozitiv në financat publike.
Rritja prej afro 6% do të përmirësojë raportin e deficitit ndaj PBB-së me gati një për qind, përmes rritjes së të ardhurave nga taksat, tha burimi për Reuters, duke shtuar se rimëkëmbja nuk ishte faktori i vetëm që ndihmoi në zvogëlimin e hendekut fiskal.
Masat stimuluese të miratuara në fillim të këtij viti kanë rezultuar më pak të kushtueshme nga sa pritej. Deficiti më i ulët do ta çojë raportin e borxhit ndaj PBB-së nën 159.8% që ishte niveli i synuar në prill.
Megjithatë, një burim politik paralajmëroi se disa parti në pushtet mund të ushtrojnë presion mbi qeverinë e kryeministrit Mario Draghi për të përdorur hapësirën fiskale për të financuar masa shtesë stimuluese deri në fund të këtij viti. Kjo mund të bëjë që Draghi të vendosë një objektiv të deficitit disi më të lartë se 10%.
Italia raportoi një raport prej 9.5% të deficitit ndaj PBB-së në vitin 2020, i cili ishte më i larti që nga fillimi i viteve 1990.
Departamenti i Thesarit do të përditësojë zyrtarisht parashikimet e rritjes dhe objektivat e financave publike deri më 27 shtator, në Dokumentin Ekonomik dhe Financiar (DEF). Kjo do të formojë kuadrin paraprak për buxhetin e vitit 2022.
Franco tha të dielën se qeveria planifikonte të ndiqte politika ekspansioniste për të rikuperuar rritjen e humbur për shkak të COVID-19 sa më shpejt të ishte e mundur. Ai premtoi se raporti i borxhit ndaj PBB-së do të zbriste nga viti 2022.
Për ta kthyer rimëkëmbjen pas pandemisë në rritje më të lartë strukturore, qeveria dëshiron të shkurtojë taksat për individët dhe kompanitë në një reformë fiskale e cila mund të fitojë miratimin e kabinetit këtë muaj./monitor.al/