Kina goditet nga mungesa e rrymës, frikë për furnizimet globale

Mungesa masive e rrymës në pjesën verilindore të Kinës la shtëpitë pa dritë dhe e ndërpreu prodhimin në shumë fabrika, ndërsa dyqanet u detyruan të punojnë më qirinj.

Banorët në atë pjesë të Kinës, ku vjeshta ka sjellë rënie të temperaturave, raportuan për ndërprerje të rrymës dhe në rrjetet sociale i bënë thirrje qeverisë që t’ia kthejë furnizimin me energjinë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Mungesa e rrymës, e shkaktuar nga furnizimi i kufizuar me thëngjill dhe standardet në rritje rreth lirimit të gazrave, e ka dëmtuar prodhimin në industri nëpër disa rajone dhe përbën rrezik për zinxhirin edhe ashtu të vështirësuar të furnizimit global me energji.

Reklama e sponzorizuar

Prodhuesit tashmë po përballen edhe me mungesë të çipave, vështirësi në transportin detar dhe me efektet e mbylljeve globale në transport e tregti për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pezullimi i prodhimit në disa fabrika shkaktoi shqetësim për mungesë të mundshme të mallrave në prag të Krishtlindjeve, përfshirë telefonat e mençur dhe pajisjet tjera.

Furnizuesi i kompanisë Apple, “Eson Precision Engineering”, tha të dielën se do ta ndërpresë prodhimin në fabrikën e vet deri të enjten në Kunshan, në linjë me politikën e qeverisë lokale për kufizimin e shpenzimit të energjisë.