Likuidimi i “Kosovës së Re”: 37 mijë qytetarë do të preken nga vendimi i BQK-së

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për revokim të licencës ndaj kompanisë “Kosova e Re”, pritet të ketë pasoja për mijëra qytetarë që kishin polica të sigurimit me këtë kompani.

Sipas të dhënave të publikuara në uebsajtin e kësaj kompanie, rreth 38 mijë qytetarë, përkatësisht 37 mijë e 739 qytetarë kishin kontratë sigurimi me kompaninë “Kosova e Re” në momentin e revokimit të licencës.

Pjesa më e madhe e tyre, ose 26 mijë e 215 sosh, kanë të bëjnë me sigurmin TPL, apo sigurimin e detyrueshëm, që ndryshe njihet si “sigurimi i autopërgjegjësisë ndaj palëve të treta”.

Reklama e sponzorizuar

Vlera e këtyre kontratave për sigurmin TPL arrin në 5 milionë e 882 mijë euro. Ndërkaq, sa i përket dëmeve nga aksidentet, nuk dihet sa është numri i tyre, meqë nuk ka të dhëna të publikuara.

Ndryshe, Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) të premten e kaluar ka vendosur për revokimin e licencës të kompanisë së sigurimit “Kosova e Re”. Sipas drejtuesve të BQK-së, deri te ky vendim erdhi pasi kompania nuk arriti t’i përmbushë kërkesat ligjore për kapital dhe solvencë.

Sipas Sokol Havollit, zëvëndësguvernator në BQK, detyrimet e kompanisë në momentin e revokimit të licencës ishin 7.7 milionë euro.

“Pra kaq ka qenë kërkesa ligjore ndaj kompanisë por nuk është përmbushur”, ka thënë ai në konferencën për media, të premten.

Kompania do të hyjë në fazën e likuidimit dhe tek atëherë do të dihet se sa do të jetë mbulueshmëria e detyrimeve.

Në rastin e kompanisë “Insig” e cila po ashtu ishte mbyllur me 2019 për të njëjtat arsye, policëmbajtësit u dëmtuan për 20 për qind të vlerës së dëmit nga aksidenti që kishin me kompaninë.

“Mbulueshmëria e detyrimeve mund të jetë më pak ose më shumë se 80%, duhet të presim likuidimin e kompanisë”, ka thënë Havolli.

Aksionar me 100% të aksioneve te “Kosova e Re” është kompania “Fitorja” sh.p.k. /Buletini Ekonomik/