Komuna e Graçanicës shpërndau subvencione mijëra euroshe pa asnjë kriter plotësues

Në komunën e Graçanicës, gjatë vitit 2020 janë evidentuar shkelje të shumta të rregulloreve për subvencionimin e projekteve të ndryshme, me ç’rast përfituesit kishin arritur të përfitojnë mjete të shumta “shumë lehtë”, pa i përmbushur as kriteret themelore të përcaktuara me rregulloret për financimin e OJQ-ve.

Komuna e Graçanicës ka te aprovuar Rregulloren për Subvencione përmes se cilës janë të përcaktuara kërkesat dhe procedurat për subvencionim. Në nenin 15, pika 2 të kësaj rregulloreje është përcaktuar që përfituesit nuk duhet të kenë obligime financiare të papaguara ndaj komunës.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, me Thirrjet Publike është kërkuar që pas nënshkrimit të kontratës, përfituesi duhet të paraqesë prova se personi përgjegjës i organizatës (përfituese) dhe menaxheri i projektit nuk janë nën hetime për vepra penale, si dhe zyrtari kryesor administrativ duhet të caktojë personat përgjegjës të Komunës për monitorimin e secilës fazë të subvencionimit.

Mirëpo, komuna e Graçanicës kishte vepruar pak më ndryshe, sipas raportimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në raportet e saja për këtë komunë.

Te subvencionimi i projektit “Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit në Komunën e Graçanicës” në vlerë të 40 miëj eurove, është identifikuar se: Përfituesi i subvencionit nuk kishte sjellë dëshmi nga gjykata se menaxheri i projektit dhe personi përgjegjës i OJQ-së nuk janë nën hetime për vepra penale. Po ashtu as nga komuna nuk ishte caktuar mbikëqyrës për monitorimin e realizimit të projektit dhe në të njëjtën kohë përfituesi nuk kishte ofruar dëshmi që nuk ka obligime financiar të papaguara ndaj komunës.

Te subvencionimi tjetër i komunës për projektin “Shënimi i Ditës së Komunës së Graçanicës” në vlerë prej 6 mijë eurove, është identifikuar se: Dokumentet/formularët e aplikimit ishin të panënshkruara nga përfaqësuesi i autorizuar i OJQ-së përfituese dhe nga menaxheri i projektit/udhëheqësit, si dhe nuk ishin të plotësuara siç kërkohet me rregulloren për financim të OJQ-ve, edhe pse i njëjti projekt ishte aprovuar nga Komisioni vlerësues. Përveç kësaj, përfituesi i subvencionit nuk kishte sjellë as dëshmi nga gjykata se menaxheri i projektit dhe personi përgjegjës i organizatës nuk janë nën hetime për vepra penale.

Ndëqkohë te projekti për “Zhvillimin i Bujqësisë dhe Rritja e Aktivitetit Bujqësor” në vlerë të 11 mijë eurove, ishte identifikuar se Aplikacionit i mungonte Deklarata mbi financimin e dyfishtë dhe Deklarata mbi projektet e financuara nga burimet publike.

Në këtë mënyrë, përfituesi i subvencionit nuk kishte sjellë dëshmi nga gjykata se menaxheri i projektit dhe personi përgjegjës i organizatës nuk janë nën hetime për vepra penale. Nuk ishte ofruar dëshmi se përfituesi nuk ka ndonjë obligim financiar ndaj Komunës.

E zyrtari Çertifikues (alternativ) që kishte certifikuar pagesën për ketë subvencionim, ishte edhe anëtar i Komisionit vlerësues të kërkesës për subvencionim, që ngjall dyshime për konflikt të pastër interesi.

Sipas ZKA-së, shkaku i kësaj situate, kishte qenë mungesa e kontrolleve adekuate për të monitoruar procesin e vlerësimit të kërkesave dhe monitorimit të realizimit të projekteve.

Mëgjithatë, mos zbatimi i të gjitha kërkesave të rregullores mund të krijojë parakushte që procesi i subvencionimit të mos zhvillohet si duhet dhe të mos arrihen objektivat e synuara, konstaton Auditori. /Buletini Ekonomik/