KPM deklarohet për shkeljet e kontratave nga operatorët kabllor

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) iu ka kthyer përgjigje zyrtare me shkrim INDEP-it, ku kjo e fundit javën e kaluar ka dorëzuar një ankesë në këtë institucion lidhur me ankesat e konsumatorëve për manipulime nga operatorët kabllor.

Sipas përgjigjes dhënë për INDEP, KPM-ja thotë se ajo vet si institucion nuk është organ përgjegjës për trajtimin e ankesave të konsumatorëve dhe se ata nuk kanë mandat për të kontrolluar përmbushjen apo jo të kontratave mes konsumatorëve dhe operatorëve kabllorë.

Për më tepër, sipas njoftimit nga INDEP, KPM-ja nuk merr asnjë përgjegjësi as në kontrollimin e operatorëve kabllorë, e as nuk shprehet e gatshme të propozojë ndonjë formë uniforme të kontratave mes konsumatorëve dhe operatorëve kabllorë në të ardhmen, formë kjo e cila potencialisht do t’i ulte mundësitë e operatorëve kabllorë për manipulime e shkelje të të drejtave të konsumatorëve, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Në përgjigjet e KPM-së thuhet edhe se “pretendimet ankimore të palëve ankuese lidhur me ndërprerjen e kanaleve të caktuara, kanë të bëjnë me mospërmbushje të marrëveshjeve të lidhura mes palëve kontraktuese (heqja e kanaleve me përbajtje sportive dhe përmbajtje tjera) dhe si të tilla janë jashtë obligimeve të operatorëve të shpërndarjes të përcaktuara me Rregulloren për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audiovizuale KPM-2020/01”.

Në bazë të kësaj, KPM-ja thotë se nuk ka kompetenca në lidhje me këto pretendime ankimore, pasi që çështjet kontestuese në mes të palëve kanë të bëjnë me mospërmbushjen e obligimeve kontraktuale, dhe si të tilla duhet të adresohen nga vet palët kontestuese.

Ndërkohë nga INDEP-i deklarohen se kjo përgjigje nga KPM-ja assesi nuk i përmbush pritjet e tyre për rolin e KPM-së.

Gjithashtu, në njoftimin e bërë nga INDEP thuhet edhe se “kjo vetëm sa dëshmon se institucionet që thirren në mbrojtjen e konsumatorëve po hezitojnë që të veprojnë sipas mandateve e tyre, e kjo po krijon hapësirë për manipulime e mashtrime edhe më të mëdha ndaj konsumatorëve në vend. KPM, përmes përgjigjes, as nuk merr rol proaktiv përmes rekomandimeve konkrete se si kjo çështje duhet të procedojë”.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, INDEP thotë se përmes platformës ‘Mbrojtësit e Konsumatorëve’ do t’a trajtojnë këtë çështje deri në fund përmes rrugëve ligjore, dhe nëse është nevoja, do ta konsiderojë edhe mbështetjen e padive ligjore përmes asistencës për konsumatorët që duan të ushtrojnë padi ndaj operatorëve kabllorë sepse situata e krijuar dhe shkelja e përsëritur e të drejtave të konsumatorëve kërkon këso masa.

“INDEP do të ju mbajë të informuar lidhur me ecurinë e këtij rasti dhe do të bëjmë publik hapat tonë të radhës”, përfundon njoftimi. /Buletini Ekonomik/