Stoku i depozitave në sektorin bankar arrin mbi 4.42 miliardë euro

Në stokun e depozitave në Kosovë janë grumbulluar gjithsej 4.42 miliardë euro, ku shumica e depozitave i përkasin ekonomive familjare.

Në baza tremujore, vetëm depozitat nga ekonomitë familjare në fund të tremujorshit të parë të 2021-s, pra në fund të marsit, u rritën për 93.2 milionë euro, kurse e gjithë vlera e stokut në fund të periudhës tremujorshe arriti në 3.03 miliardë euro nga kjo kategori depozitash.

Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të cilat i ka paraqitur në raportin “Vlerësimi Tremujor i Sistemit Financiar, Tremujori I/2021”, thuhet se rritja dyshifrore prej 15.0 përqind e stokut të depozitave për të tretin vit me radhë, përkundër efekteve negative të shkaktuara nga pandemia Covid19, mund të jetë rezultat i transferimit të 10 përqind të mjeteve të pensioneve në llogari të kontribut-dhënësve në fund të vitit të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Porse, edhe rritja e theksuar e remitencave përgjatë vitit 2020 dhe fillimit të vitit 2021, mund të ketë ndikuar në rritje të depozitave prej ekonomive familjare, përcjell Buletini Ekonomik.

Në anën tjetër, depozitat e arkëtuara prej korporatave jofinanciare në këtë periudhë ishin zvogëluar për 35.4 milionë euro (nga -88.3 milionë euro në TM1 2020), ndërsa e gjithë vlera e stokut në fund të periudhës kishte arritur në 792.0 milionë euro.

Edhe depozitat prej korporatave tjera financiare në këtë tremujor ishin zgjeruar për vetëm 6.5 milionë euro (+3.6 milionë euro në TM1 2020), e që kryesisht reflektonin zhvillimet në sektorin pensional, sipas BQK-së. Kurse në fund të periudhës, stoku i kësaj kategorie kishte shënuar vlerën prej 269.9 milionë eurove.

Ndërkohë sipas kategorive, BQK-ja bën të ditur se depozitat e transferueshme u rritën në vlerë prej 25.3 milionë euro (-67.1 milionë euro në TM1 2020) në baza tremujore, kurse stoku i tyre arriti vlerën prej 2.81 miliardë euro në fund të periudhës (në mars 2021).

Në të njëjtën periudhë, sipas raportit, depozitat e afatizuara ishin rritur për 8.9 milionë euro, duke arritur kështu vlerën prej 1.03 miliardë euro në fund të periudhës (mars 2021), përderisa depozitat e kursimeve u rritën për 28.0 milionë euro, duke arritur vlerën prej 580.8 milionë euro në fund të periudhës, pra mars 2021.

Depozitat e transferueshme vazhdojnë ta kenë pjesëmarrjen më të lartë në gjithsej depozitat e sektorit prej 63.6 përqind, pasuar nga depozitat e afatizuara me 23.3 përqind dhe ato të kursimit me 13.1 përqind, konstatojnë tutje nga BQK-ja.

E vlera e depozitave të reja të arkëtuara në TM1 2021 ishte 103.2 milionë euro, prej të cilave 31.1 milionë euro ishin depozita të arkëtuara nga korporatat jofinanciare, ndërsa 72.1 milionë euro depozita të arkëtuara nga ekonomitë familjare. /Buletini Ekonomik/