Ministria e Financave pas një periudhe 3 vjeçare, u ka ofruar qasje në dokumente publike Lëvizjes FOL mbi procesin e vlerësimit të pronave përgjatë trasesë së ndërtimit të autostradës Prishtinë – Gjilan.
Në një postim në facbook Lëvizja FOL ka treguar se pas një presioni publik tre-vjeçar si dhe pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi u arrit që të kenë qasje në këto të dhëna.
Ata gjithashtu kanë thënë kjo ministri gjatë kësaj periudhe ka mohuar qasjen për t’u informuar rreth këtij procesi, me arsyetime të ndryshme.
“Këto të dhëna përgjatë tërë kësaj periudhe, me gjithë insistimin e Lëvizjes FOL për publikimin e tyre, dhe përkundër ndërrimit të 3 partive në pushtet janë mbajtur të mbyllura për publikun” thuhet në postimin e tyre.
Megjithatë FOL njoftoi se të dhënat e pranuara nga Ministria e Financave do të analizohen dhe do të bëhen publike në ditët në vijim.
“Shpenzimi i parasë publike duhet të jetë transparent. Aty ku mungon transparenca ka dyshime për keqpërdorime” përfundon njoftimi. /Buletini Ekonomik/