Ministri i Financave dhe Transfereve gjatë një konference për media sot ka treguar për rritjen ekonomike të Kosovës gjatë këtij viti, duke thënë se si vend deri në muajin qershor kemi shënuar një rritje rekorde ekonomike.
Murati tha se në periudhën e tremujorit të dytë të këtij viti, pra muajt prill, maj, qershor, është shënuar një rritje rekorde e ekonomisë në vend prej 16.28%, në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, përcjell Buletini Ekonomik.
“Aktiviteti ekonomik në Kosovë ka shënuar një rritje rekorde gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, më saktësisht 16.28 % rritje ekonomike”, u shpreh ministri.
Ndërsa, nëse marrim për bazë edhe rritjen ekonomike që ishte shënuar në tremujorin e parë të këtij viti, e cila është 4.22%, kemi të bëjmë me një rritje ekonomike prej 10.4% në tërësi në gjysmë vitin e parë për sivjet në raport me gjysmën e parë të vitit të kaluar, konstatoi ministri.
Murati theksoi tutje se rritja prej 16.28% si faktor kyq, ka edhe bazën e ultë ndoshta për shkak të mbylljes në vitin e kaluar në po të njëjtën periudhë, megjithatë sipas tij, shifrat e aktivitetit ekonomik për sivjet tregojnë për një rritje të ndjeshme ekonomike edhe nëse krahasohet me tremujorët e tjerë në periudha normale që nuk kanë qenë nën kufizime të pandemisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga ministri sot, qarkullimi apo rritja ekonomike prej 1 miliardë e 916 milionë euro në shifra e terma realë sivjet, nëse krahasohet me gjithë tremujorët e tjerë të vitit të kaluar, pavarësisht me tremujorin e dytë apo të tjerë, shihet se është më i lartë se cilido tremujorë tjetër.
Ndërkaq, rritjen ekonomike të Kosovës pa dyshim se e mbështesin edhe të hyrat nga Doganat e Kosovës dhe të hyrat nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Murati theksoi se në periudhën e dytë, prill, maj, qershor, 2021 në krahasim me vjet, rritja e qarkullimit të bizneseve është 49.5%, kurse nëse e krahasojmë me vitin paraprak kur nuk ka qenë vit pandemie, pra me vitin 2019, periudhën e tremujorit të dytë të këtij viti me periudhën e dytë të 2019, rritja e qarkullimit të bizneseve ishte 20%.
Sipas Muratit, nga doganat kemi shifra edhe sa i përket rritjes së eksportit që është një ndër kontribuesit kryesor të kësaj rritje ekonomike, me ç’rast tremujori i dytë i këtij viti krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, ka shënuar një rritje prej 68% në shifra të eksportit, kurse në krahsim me shifrat e eksportit me tremujorin e dytë të vitit 2019, kemi rritje edhe më të thellë prej 93% për periudhat e njëjta.
Ndërkaq, sa i përket punësimit, Murati u deklarua se deri në qershor të këtij viti kemi një rritje të vendeve të punës prej 22 mijë vende, në krahasim me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.
“Nëse marrim pra shifrat në fund të periudhës së tremujorit të dytë që është muaji qershor, dhe e krahasojmë deklarimin në ATK që ka qenë në fund të qershorit të 2020-s, kemi një rritje prej 22 mijë vende pune, dmth në fund të qershorit të vitit të kaluar kanë qenë të deklaruara 342 mijë vende pune, kurse këtë viti janë 364 mijë vende pune”, tha ai.
Gjithashtu, në rritjen ekonomike të Kosovës ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe sektori financiar në vend, u shpreh Murati. Ai tha se kemi një rritje të ndjeshme të kreditimit të ekonomisë, e sidomos muaji i fundit i periudhës së dytë të këtij viti, pra qershori, në të cilin është shënuar një rritje rekord e kreditimit të bizneseve, e që në tërësi janë shënuar kredi të reja në vlerë të 192 milionë eurove, shifër kjo që sipas ministrit nuk ka ndodhur asnjëherë në një muaj të vetëm në Kosovë.
Ministri Murati dha edhe projeksionet e veta në lidhje me rritjen e pritshme të ekonomisë së Kosovës deri në fund të vitit. Sipas projeksioneve të para të Qeverisë, ishte parashikuar një rritje prej 7.9% në këtë vit, mirëpo sot Murati shtoi se duke marrë parasysh perfomancën e jashtëzakonshme në tremujorin e dytë, dhe përformancën që pritet ta kemi në tremujorët vijues të këtij viti, shifra prej 7.9% do të rritet dhe pritet të shkojë deri mbi 10%.
“Ne në fillim të mandatit kur e kemi prezantuar kornizën afatmesme të shpenzimeve por edhe buxhetin dhe kemi përshtatur projeksionet për rritje, fjala ka qenë për rritje 7.9 % rritje deri në fund të këtij viti, mirëpo marrë parasysh performancën e jashtëzakonshme në dy tremujorët e dytë, dhe duke marrë parasysh performancën që pritet ta kemi në tremujorët e tretë, gjë që është shumë premtuese nnëse marrim për bazë muajt korrik dhe gusht, mund të them që këtë shifër prej 7.9 duhet ta ripërshtasim edhe një herë si projeksion, dhe projeksionet e reja me siguri që do të jenë mbi 10%. Pra, rritja ekonomike deri në fund të vitit të projektuar, jemi të sigurtë që do të tejkalojë pra në shifra dyshifrore”, përfundoi ministri. /Buletini Ekonomik/