Shifrat e investimeve të huaja në gjashtëmujorin e sivjetshëm, që ç’është e vërteta, janë modeste, madje fare të vogla, janë relativisht më të mëdha se investimet e jashtme që janë realizuar vjet në të njëjtën periudhë dhe më të mëdha se në disa vite me radhë deri tash. Në fakt 230,1 milionë euro investime të jashtme përbëjnë vlerën më të lartë të investimeve të kryera për këtë periudhë që nga viti 2007 dhe është vlera më e lartë e investimeve në raport me mesataren e deritashme.
Mehmet GJATA
Informacioni i bërë publik nga Banka Qendrore e Kosovës dhe së fundi edhe nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari se brenda gjashtë muajve të parë të vitit 2021 janë realizuar 230.1 milionë euro investime të huaja direkte, ringjallë një fije shprese te ekonomistët, njohësit e ecurive të investimeve të jashtme dhe përtej këtyre.
Këto shifra të rritjes së investimeve të huaja, që ç’është e vërteta, janë modeste, madje fare të vogla, por janë relativisht më të mëdha se investimet e jashtme që janë realizuar vitin e kaluar në të njëjtën periudhë dhe më të mëdha se në disa vite me radhë deri tash.
Në fakt 230,1 milionë euro investime të jashtme përbëjn vlerën më të lartë të investimeve të kryera për këtë periudhë që nga viti 2007 dhe është vlera më e lartë e investimeve në raport me mesataren e deritashme.
Siç dihet, nga viti 2010 deri në vitin 2020 mesatarja e investimeve të huaja direkte për gjashtëmujorët e parë nëpër vite është 121.9 milionë euro, ndërsa në gjashtë muajt e parë të vitit 2021, janë 230.1 milionë euro apo, siç “mburret” ministrja Hajdari në Facebook, 89 për qind ngritje krahasuar me mesataren e deritanishme, ose gjatë vitit aktual ka 33 për qind më shumë investime të jashtme se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 109 për qind më shumë se në vitin 2019.
Duhet thënë se investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rritje edhe në vitin e kaluar, pavarësisht faktit se bota është ballafaquar me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi, kur shumë biznese u mbyllën gjithandej nëpër botë.
Vitin e kaluar, vlera e investimeve ndërkombëtare në Kosovë ka arritur në 341.7 milionë euro, apo 34.2 për qind më shumë se vitin paraprak, ku vlera e investimeve ishte 254.6 milionë euro. Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja e investimeve të huaja më 2020 u evidentua kryesisht në sektorin e xehetarisë dhe gurorët me 28 për qind nga rreth 7 për qind sa ishte në vitin 2019.
Sipas Bankës Qendrore, rritja është evidentuar edhe në sektorët e aktiviteteve financiare dhe energjetikës.
Ndërkohë, sektori i patundshmërive, ndër vite me pjesëmarrjen më të lartë në strukturën e investimeve të huaja, gjatë vitit 2020, kur Kosova u përball me pandeminë, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, ka shënuar rënie për 10 për qind.
Ecuria e ngritjes së shumës së investimeve të huaja në vendin tonë është e vrejtshme, edhe pse në krahasim me investimet e jashtme në shumicën e vendeve të rajonit është thuaja e papërfillshme. Por, ngecja e vazhdueshme nëpër vite e këtyre investimeve, madje edhe rënia e tyre në disa vite pas luftës na e bënë vetvetiu më të madhe dhe imponuese shumën e sivjetshme të deritashme të investimeve të jashtme në Kosovë.
Për të qenë më konkret dhe për të parë këtë lëvizje pozitive të investimeve të jashtme, po i paraqesim të dhënat e ecurive të futjes së shumave të kapitalit ndërkombëtar nëpër vite:
-Më 2004 në Kosovë janë regjistruar 42,9 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta, më 2005-107,6 milionë, më 2006- 294,8 milionë, më 2007- 440,7 milionë, më 2008 -366,5 milionë më 2009- 291,4 milionë, më 2010 -365,8 milionë euro, më 2011 – 394, 6 milionë më 2012 – 230 milionë dhe më 258,9 milionë euro.
Ndërsa më 2014, po sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar 4 herë më pak investime të huaja se në vitin 2013, kur poashtu edhe në këtë vit karahasues këto investime ishin tejet të reduktuara. Shihet pra se investimet e jashtme të ndodhura më 2007, sot e kësaj dite, në disa vite nuk janë arritur as për së afërmi.
Prandaj, kjo lëvizje së larti e grafikonit, na bën të shpresojmë dhe pse jo edhe të besojmë, se më në fund, edhe te ne do t’u hapet rruga investimeve të jashtme, do t’i hapet rruga kapitalit të huaj, ndërtimit të projekteve të reja, që do kishin ndikim të madh dhe do të nxitnin zhvillimin e gjithëmbarshëm te ne, e veçmas zhvillimin ekonomik, të munguar deri tash. Shifrat e rritura të investimeve të jashtme, edhe pse ministrja nuk e bëri publike strukturën e këtyre investimeve, as emrat e investuesve as projektet, megjithatë janë inkurajuese.
Sepse, siç dëshmojnë të dhënat, me vite Kosova ka dështuar në thithjen e investimeve të jashtme, ndërkohë që në vitet e fundit nuk ia doli që ta sjellë këtu asnjë investitor të madh strategjik, asnjë projekt madhor të tyre.
Ç’është më keq, pati edhe raste kur ikën investitorët potencial, siç është rasti me disa investitorë seriozë dhe potentë që janë larguar së fundmi nga vendi ynë. Në këtë mënyrë, Kosova mbeti me trendin më negativ të investimeve të huaja krahasuar me shtetet e rajonit, si Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria. Dhe ky trend negativ ka vazhduar me vite të tëra.
Njohësit e rrethanave investuese në Kosovë, interesimin e investitorëve të jashtëm për ta shtrirë kapitalin e tyre te ne, e shohin te bërja të infrastrukturës më të mirë ligjore.
Në fakt, pas miratimit të Ligjit për investimet strategjike, që ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017, janë thjeshtësuar dukshëm procedurat për investitorët e huaj potencialë. Sipas këtij ligji, vëllimi i investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është nga 10 deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori.
Edhe Ligji për investimet e huaja, i miratuar qysh më 2013, e që kishte për qëllim të rregullojë mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja, t’u ofrojë atyre të drejta dhe garanci themelore, ka qartësuar shumë investitorët e huaj, sidomos në drejtimin e dhënies së sigurisë që investimet e tyre do të mbrohen në mënyrë të drejtë në pajtim me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.
Qeveria aktuale duhet të jetë shumë më këmbëngulëse të vazhdojë për t’u ofruar masa edhe më lehtësuese investitorëve të interesuar. Të jetë më e vëmendshme në monitorimin e saktë të zbatimit të ligjeve, duke themeluar në raste të nevojshme edhe mekanizma të rinj për përcjelljen e zbatimit të këtyre ligjeve për t’u dhënë garanci investitorëve të huaj që tashmë janë në Kosovë, por edhe investitorëve potencialë, të cilët e shohin Kosovën si destinacion për investim.
Institucionet duhet të fokusohen në tërheqjen e investimeve në sektorët strategjikë siç janë prodhimi, teknologjia e informacioni, energjetika e pastaj përpunimi. Të kërkojë investitorët e jashtëm që ishin këtu dhe u dëbuan për shkaqe të njohura dhe të panjohura, tu ofrojë atyre mundësi të reja, projekte atraktive për t’u kthyer këtu.
Ndërsa mundësi të reja duhet të ishin sundimi i ligjit, promovimi i vlerave dhe politikave atraktive për investitorët e huaj, luftimi i njëmendtë i korrupsionit dhe ekonomisë së fshehtë dhe rikthimi i imazhit të mirë të Kosovës në botë. Nuk është lehtë të bëhen shpejtë të gjitha këto punë, por janë të arritshme dhe të realizueshme nëse do të kishte vendosmëri institucionale dhe vullnet politik. /Buletini Ekonomik/











