Reformimi i vazhdueshëm i kornizës ligjore në përputhje me kërkesat e sektorit privat është parakusht për krijimin e një mjedisi nxitës për investimet e brendshme dhe atraktiv për investimet e jashtme.
Lidhur me këtë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndjekin një axhendë dinamike legjislative, duke përshpejtuar hartimin dhe aprovimin e akteve ligjore që mundësojnë reformën e domosdoshme, përcjell Telegrafi.
OEAK thotë se për shkak të mungesës së stabilitetit qeverisës të viteve të fundit, një pjesë e akteve të rëndësishme ligjore presin aprovimin e Kuvendit të Kosovës për më shumë se dy vite, siç është rasti me legjislacionin tatimor, atë për nënshkrimin elektronik, si dhe për themelimin e gjykatës komerciale.
“Oda Ekonomike Amerikane beson që me qëllim të shmangies së përkeqësimit të perceptimit negativ që ekziston në mesin e investitorëve të jashtëm, nevojitet trajtim me prioritet i aplikacioneve për statusin e investitorëve strategjikë. Investimet e huaja direkte janë të rëndësishme për krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe rritjen e përshpejtuar ekonomike. Prandaj, përmirësimi i ofertës, reduktimi i procedurave burokratike dhe shkurtimi i kohës së trajtimit të kërkesave të investitorëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm për promovimin e imazhit të Kosovës si vend i hapur për investitorët”, thuhet në reagim.
Oda Ekonomike Amerikane shprehet se korniza ligjore e vendit duhet me patjetër të reflektojë edhe rrethanat e reja të krijuara pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, jo vetëm me qëllim të reagimit adekuat ndaj vështirësive të sektorit privat, por edhe adresimit të trendeve të reja globale ekonomike.
Në fund, OEAK u bënë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të fuqizojnë dialogun me përfaqësuesit e sektorit privat përmes mekanizmave ekzistues të dialogimit, meqë sipas tyre, vetëm në këtë mënyrë sigurohet adresimi i rekomandimeve të sektorit privat, si dhe përmirësimi i klimës së investimeve.