Pagat në AKP do të ulen për 30%

Agjencia Kosovare e Privatizimit -(AKP)

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mbajti sot mbledhjen e tij të rregullt, ku u informua nga menaxhmenti i AKP-së lidhur me gjendjen e privatizimit dhe likuidimit.

Bordi i Drejtorëve në këtë takim diskutoi edhe mbi kompensimet e anëtarëve të Bordit. Me këtë rast mori vendim që kompensimi për anëtarë të Bordit të zvogëlohet në mënyrë lineare për 30%, si dhe vendosi që kompensimi për anëtarët e Bordit të Drejtorëve të bëhet mujor (fiks) duke eliminuar pagesat për takime, që efektivisht pothuajse përgjysmon kompensimin e anëtarëve të Bordit.

Bordi i Drejtorëve e udhëzoi Menaxhmentin që në kuadër të strukturës së re organizative dhe në përputhje me aktivitetin në ulje të AKP-së, të përgatis Rregulloren e re të pagave e cila do të reflektoj ulje të buxhetit pagave prej 30% për zyrtarët e lartë dhe stafin e AKP-së.

Reklama e sponzorizuar

 

Bordi i Drejtorëve shqyrtoi dokumentet të cilat do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e draft strategjisë për finalizimin e procesit të privatizimit duke konkluduar që deri në aprovimin e këtij drafti të vazhdoj pezullimi i shitjeve sipas kërkesës së Qeverisë, ndërkaq udhëzoi menaxhmentin që të vazhdohet me qiradhënie të rregullt të aseteve shoqërore sipas rregullores në fuqi për periudha 1 vjeçare me mundësi vazhdimi.