Prishtinë, 28 shtator-Sot në Prishtinë janë inauguruar zyrat e Odës Ekonomike Zvicerano-Kosovare në Prishtinë. Ky asociacion, siç dihet, është themeluar në maj të këtij viti.
Në solemnitetin e rastit pos përfaqësuesve të shumtë të bizneseve kosovare dhe zyrtarë e autoritete të kosovës, morën pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe zëvendësambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Pauline Menthonnex – Gacaferri.
Zëvendësambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Pauline Menthonnex – Gacaferri ka thënë me rastin e inaugurimit të hapsirave të punës së këtij asociacioni, se beson se shumë kompani, si nga Kosova ashtu edhe nga Zvicra, do të tregojnë interes dhe dëshirë për t’u bashkuar me këtë nismë të re.
“Investitorët nuk duhet të hezitojnë të kontaktojnë për të komunikuar me shoqatën ose ambasadën, në mënyrë që të eksplorojmë potencialin e pashfrytëzuar që shteti i Kosovës ka për të ofruar. Unë do të theksoj këtu punën e mirë të ministres Hajdari.
“Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë një vend tërheqës. Rreth pesë kompani na kanë kontaktuar tashmë me planin për të investuar, për të punësuar, dhe për të krijuar vende pune këtu në Kosovë. Pra, ky është padyshim një lajm i mirë dhe unë gjithashtu dua ta ndaj me ju këtë lajm disa javë më parë”, theksoi Menthonnex – Gacaferri.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se investimet e huaja nga Zvicra dhe diaspora janë çelës i zhvillimit të Kosovës./Buletini Ekonomik/