Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) të premten ka vendosur për revokimin e licencës të kompanisë së sigurimit “Kosova e Re”. Sipas drejtuesve të BQK-së deri te ky vendim erdhi pasi kompania nuk arrit t’i përmbush kërkesat ligjore për kapital dhe solvencë.
Sipas Sokol Havollit, zëvëndësguvernator në BQK, detyrimet e kompanisë në momentin e revokimit të licencës ishin 7.7 milionë euro.
“Pra kaq ka qenë kërkesa ligjore ndaj kompanisë por nuk është përmbushur”, ka thënë ai në konferencën për media, të premten.
Kompania do të hyjë në fazën e likuidimit dhe tek atëherë do të dihet se sa do të jetë mbulueshmeria e detyrimeve nga kompania.
Në rastin e kompanisë “Insig” e cila po ashtu ishte mbyllur me 2019 për të njëjtat arsye, policëmbajtësit u dëmtuan për 20 për qind të vlerës së dëmit nga aksidenti që kishin me kompaninë.
“Ende nuk e dimë. Mbulueshmëria e detyrimeve mund të jetë më pak ose më shumë se 80%, duhet të presim likuidimin e kompanisë”, ka thënë Havolli.
Ende nuk dihet sa qytetarë kishin polica aktive në këtë kompani, e as sa dëme janë nëpër gjykata. Aksionar me 100% të aksioneve te “Kosova e Re” është kompania “Fitorja” sh.p.k. /Buletini Ekonomik/