Protestojnë fermerët, kërkojnë heqjen e kritereve për subvencionim të grurit

Sot fermerët nga të gjitha anëet e Kosovës nga ora 11:00 janë duke protestuar para ministrisë së bujqësisë me kërkesat e tyre për heqjen e kritereve të reja lidhur me subvencionet e grurit.

Ata marshuan para kësaj ministrie me rreth 200 traktorë ku sipas tyre gati 80 për qind e bujqve do të mbesin pa të drejtë aplikimi dhe kësisoj nuk do të fitojnë asgjë nga shteti.

Reklama e sponzorizuar

“Bujqësia është në gjendje të rëndë që disa vite, mirëpo fatkeqësisht muajve të fundit po rëndohet edhe më shumë. Ajo që e ka rënduar situatën kohëve të fundit është thirrja për aplikim e Ministrisë së Bujqësisë me disa kritere që janë të papërballueshme për t’u subvencionuar për kulturat bujqësore për vitet 2020-2021”, janë shprehur përfaqësues të Sindikatës.

Ata thonë se këto kritere janë diskriminuese për bujqit, duke kërkuar që këto të anulohen.

“Këto kritere janë diskriminuese dhe zhgënjyese për bujqit e Kosovës. Është e habitshme se pse dikush po mundohet t’i shkel dhe zhgënjej bujqit. Shumë prej tyre e ka shuar veprimtarinë e tyre për shkak të perspektivës, pikërisht për shkak të kritereve dhe keqmenaxhimit të drejtave të bujqve. Bujqit i kanë dy kërkesa kryesore. E para është se për vitin 2020-2021 të anulohet ky vendim për thirrje për aplikim për këtë vit prodhues dhe e dyta, të kthejnë kriteret me të vjetrën për të mundur të përfitojnë, përndryshe 80 për qind e bujqve do të mbesin pa u subvencionuar për shkak të këtyre kritereve”, thanë ata./Buletini Ekonomik/