Qiraja financiare, tregu po ringrihet

Euro

Në fund të vitit 2020, portofoli i qirasë financiare kishte vlerën e 9 miliardë lekëve. Pandemia e frenoi ndjeshëm rritjen e tregut në afërsisht 2%, nga 28% që kishte qenë rritja një vit më parë. Pavarësisht kësaj, gjatë këtij viti raportohet një përtëritje e shpejtë dhe kthim i biznesit pranë niveleve të vitit 2019. Megjithatë, drejtuesit e kompanive mendojnë se ky treg ka potenciale shumë të mëdha ende të pashfrytëzuara.

Tregu i qirasë financiare (leasing) pësoi një frenim në vitin e pandemisë. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, portofoli i qirasë financiare arriti vlerën e 9 miliardë lekëve, ose rreth 73 milionë euro. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky treg, vitin e kaluar, shënoi rritje të lehtë me 2.1% me bazë vjetore.

Rritja e vitit 2020 është shumë më e ulët krahasuar me vitin 2019, kur tregu ishte rritur me rreth 28%. Ndërkohë, mbështetur në të dhënat e mbledhura nga pasqyrat financiare të operatorëve më të mëdhenj të tregut, portofoli total rezulton afërsisht në vlerën e 9.6 miliardë lekëve, në vlera të përafërta krahasuar me vitin 2019.

Reklama e sponzorizuar

Pavarësisht diferencave në shifra, ato në thelb tregojnë se tregu i qirasë financiare është prekur ndjeshëm nga pasojat e pandemisë dhe rënia e aktivitetit të biznesit dhe e investimeve në mjete të financuara nëpërmjet këtij produkti.

Leasing përdoret kryesisht për automjete

Qiraja financiare është një produkt i fokusuar kryesisht në financimin e mjeteve të transportit të bizneseve dhe individëve dhe në një pjesë më të vogël, në financimin e pajisjeve dhe linjave të prodhimit të bizneseve. Statistikat tregojnë se në fund të vitit 2020, portofoli i qirasë financiare, sipas produkteve, dominohet nga financimet për mjete transporti personale, me 55% të totalit, të ndjekura nga ato mjete transporti pune, me 30% të totalit dhe makineritë e linjat e prodhimit, me 13% të totalit. Rrija e portofolit gjatë vitit të kaluar, prej afërsisht 200 milionë lekësh, erdhi pothuajse e gjitha nga financimet për mjete transporti pune.

Qiraja financiare është një produkt i ngjashëm me kredinë, por ndryshimi kryesor është se produkti i financuar nëpërmjet saj mbetet në pronësi të institucionit financiar, deri në momentin kur klienti shlyen detyrimin e plotë. Ky lloj mekanizmi ul ndjeshëm rreziqet dhe thjeshton procedurat e rimarrjes së kolateralit, në rastet kur qiramarrësi nuk është në gjendje të shlyejë detyrimet.

Mekanizmi i leasing-ut parashikon një parapagim të pjesshëm nga klienti të vlerës së mjetit, apo pajisjes së financuar. Parapagimi minimal është në varësi të kushteve që ofron secili institucion financiar, por në raste të veçanta, mund të fillojë nga 10% deri në 30% të vlerës. Pjesa e mbetur paguhet me këste mujore deri në shlyerjen e plotë të vlerës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në treg ushtrojnë aktivitet 10 institucione të licencuara për ofrimin e qirasë financiare. Veç institucioneve financiare të veçanta, ky produkt ofrohet edhe nga disa prej bankave tregtare në vend. Disa prej tyre, fillimisht ngritën institucione të veçanta financiare për këtë produkt, siç ishin Tirana Leasing apo Credins Leasing. Në vitin 2015, Credins vendosi ta përfshinte aktivitetin e leasing-ut brenda strukturave të bankës, me qëllim kryesisht uljen e kostove të aktivitetit.

Të njëjtën zgjedhje ka bërë edhe OTP Albania (ish-Societe Generale Albania), që e ka mbajtur leasing-un si produkt që ofrohet nga banka. Tirana Leasing ishte institucioni i parë i qirasë financiare, i themeluar në vitin 2004 nga Grupi Bankar i Pireut. Që para shitjes së Tirana Bank, grupi financiar grek vendosi të mbyllë me likuidim kompaninë Tirana Leasing, duke e shitur portofolin e qirasë financiare te konkurrentët e Raiffeisen Leasing.

 

Pandemia goditi shërbimet e transportit

Tregu i qirasë financiare e ndjeu shumë efektin e pandemisë, sidomos në bizneset e lidhura me shërbimet e transportit. Kompanitë që ofrojnë makina me qira ditore dhe ato të shërbimeve taksi janë ndër klientët kryesorë të shoqërive të qirasë financiare në Shqipëri. Rënia e aktivitetit të tyre, sidomos në fazën e parë të pandemisë, solli një goditje të ndjeshme edhe në tregun e qirasë financiare.

“Pandemia goditi dy nga sektorët më të rëndësishëm me të cilët leasing operon në tregun shqiptar. I pari është dhënia e makinave me qira. Për shkak se u godit turizmi dhe fluksi i turistëve të huaj dhe rikthimi i emigrantëve u ndalën përfundimisht, pati një rënie drastike të kërkesës për makina të reja, si dhe një përkeqësim të lehtë të performancës së shoqërive që kishin marrë financim me leasing.

Sektori i dytë që u godit ndjeshëm ishte shërbimi i transportit taksi. Ndërprerja me orare të gjata e qarkullimit dhe ndërprerja dhe orare të kufizuara, si pasojë e punës nga shtëpia, bëri që nevoja për transport të kufizohej” – thotë Ida Shehu, drejtore e përgjithshme e Raiffeisen Leasing.

Edhe ky sektor aplikoi shtyrje dhe ristrukturim të pagesave, por disa prej institucioneve zgjodhën një qasje të pranimit të pagesave, qoftë edhe të pjesshme, me qëllim ruajtjen e zinxhirit të pagesave.

“Albania Leasing i mirëkuptoi të gjitha kërkesat për pezullimin e pagesave, hoqi penalitetet e kësteve me vonesë, por nuk e ndërpreu faturimin e pagesave. Ndërprerja e faturimeve do të sillte kaos të madh kontabël në institucionin tonë dhe do të rriste koston e financimeve për klientët në të ardhmen.

Përkundrazi, institucioni ynë u bëri thirrje klientëve të vazhdonin pagesat e kësteve, me aq sa mundësi të kishin. Në kohë krizash është shumë e rëndësishme të mos ndërpritet zinxhiri i pagesave, qoftë edhe minimalisht, sidomos kur periudha e krizës nuk mund të hamendësohet se sa do të zgjasë” – thotë Fatmir Sulo, drejtor i përgjithshëm i Albania Leasing.

 

Tregu po u kthehet niveleve të para pandemisë

Pavarësisht se efekti i pandemisë ishte mjaft i ndjeshëm, ashtu si në gjithë tregun financiar, rimëkëmbja ishte relativisht e shpejtë.

“Pas rihapjes së ekonomisë u vërejt edhe një dëshirë e njerëzve për të dalë nga gjendja e mbylljes dhe një kërkesë në rritje, ndoshta edhe më e madhe nga sa mund të parashikonim. Veç efektit psikologjik, ishte edhe nevoja e tregut për asete që financohen me leasing, sidomos në segmentin e shërbimit të dhënies ditore të makinave me qira.

Rihapja e ekonomisë, në maj-qershor 2020, përkoi edhe me periudhën që ata bëjnë investime të reja dhe përgatiten për sezonin turistik. Edhe pse me pasiguri, aktorët e qirasë ditore filluan të merrnin rezervime, çka i dha impuls tregut të qirasë financiare. Ne e rishikuam buxhetin gjatë vitit, duke marrë parasysh faktorin e pandemisë, por fakti është që në fund, arritëm buxhetet fillestare, të projektuara para pandemisë” – thotë Dorin Maraku, drejtor i përgjithshëm i Landeslease.

Sipas tij, në vitin 2021, tregu ka një përmirësim të dukshëm dhe shitjet janë shtuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. “Ndryshimi në kufizime, duke krijuar më tepër hapësira për të bërë biznes, solli reflektim të shpejtë në kërkesën për financime leasing. Viti 2021 reflektohet me financime të larta dhe parashikohet që deri në fund të kemi ritmin e rritjes së vitit 2019. Bizneset që u prekën më shumë gjatë vitit 2020 janë rikthyer mjaft fort me volum pune dhe me financime të reja të munguara” – thotë Elion Martini, Drejtor i Departamentit të Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Bank.

 

Potencialet e tregut, makinat e reja dhe elektrike, por edhe pasuritë e paluajtshme

Tregu i qirasë financiare në Shqipëri ngelet kryesisht i lidhur me financimin e blerjes së automjeteve, qoftë për qëllime të përdorimit tregtar apo personal. Megjithatë, drejtuesit e kompanive vërejnë se në vitet e fundit, tregu po mbështetet gjithnjë e më shumë te bizneset, ndërsa ka një rënie të blerjeve nga individët.

“Mendoj se është e rëndësishme që të arrijmë te shitjet tek individët. Ajo që ne vërejmë është se në vitet e fundit, po blejnë më shumë subjektet, ndërsa ka më pak shitje nga individët. Pra, duket se ka një rënie të fuqisë blerëse tek individët, të paktën krahasuar me deri pesë vite më parë. Sot duket se individët po orientohen më shpejt drejt mjeteve të përdorura” – thotë z. Maraku nga Landeslease.

Sipas tij, është e rëndësishme që të incentivohet më shumë përdorimi i makinave të reja dhe sidomos i atyre hibride, apo elektrike. Përveç ndikimit të konsiderueshëm mjedisor, një politikë e tillë do t’i jepte shtysë të rëndësishme edhe tregut të qirasë financiare.

Një tjetër segment ku tregu mund të ketë potenciale të konsiderueshme, sipas ekspertëve, është tregu i pasurive të paluajtshme, kryesisht atyre komerciale.

“Albania Leasing, ndërkohë, i ka dërguar Ministrisë së Financave propozime në lidhje me trajtimin e Tatimit mbi Shitjen të Pasurive të Patundshme, e cila është pengesë kryesore në Financimin Leasing për këto objekte. Ne mendojmë që, nëse këto kërkesa do të merren parasysh, financimi i Pasurive të Patundshme Tregtare nëpërmjet kontratave Leasing, jo vetëm nga Institucionet Leasing por edhe nga bankat, do të kishte një potencial shumë të madh. Ndërkohë, me heqjen e këtij tatimi prej 15%, vetëm për financimet leasing, evazioni fiskal do të minimizohej dhe tregu i pasurive të patundshme do të ishte edhe më i formalizuar” – thotë z. Sulo nga Albania Leasing.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, qiraja financiare me objekt financimin e pasurive të paluajtshme në fund të vitit të kaluar kishte një vlerë mjaft të ulët, me rreth 100 milionë lekë, ose 1.1% e portofolit total.

 

Kryeson Raiffeisen, Landeslease me rritjen më të lartë

Subjekti dominues në treg, edhe për vitin 2020, ishte Raiffeisen Leasing, që zotëronte rreth 37% të portofolit aktiv të qirasë financiare. Megjithatë, pjesa e Raiffeisen ka pësuar rënie me 2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019. Ndërkohë që tregu në tërësi shënoi rritje të lehtë vitin e kaluar, Raiffeisen pësoi një tkurrje të portofolit me 3.1%, duke zbritur në vlerën e 3.34 miliardë lekëve.

Mbështetur në pasqyrat financiare të kompanive, aktori i dytë më i madh në fund të vitit 2020 ishte Porsche Leasing, që zotëronte rreth 17% të portofolit aktiv. Porsche ka shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2019, me 13.1% më shumë.

Landeslease gjatë vitit 2020 ka marrë pozicionin e tretë në treg, me një portofol të qirasë financiare prej 1.29 miliardë lekësh, ose rreth 14% e totalit. Landeslease ishte njëkohësisht kompania me rritjen më të lartë të portofolit, me 13.5% më shumë krahasuar me një viti më parë.

Ndjek Credins Bank, me një portofol në vlera të përafërta me Landeslease. Megjithatë, rritja e portofolit të qirasë financiare të Credins Bank kishte përmasa më të kufizuara, me rreth 2.6%.

Banka tjetër me një peshë domethënëse në tregun e qirasë financiare, OTP Bank Albania, në fund të vitit 2020 zotëronte rreth 13% të portofolit aktiv. OTP zotëronte një portofol në vlerën e 1.16 miliardë lekëve, me një rënie prej 1.4% krahasuar me një vit më parë. Albania Leasing, në fund të vitit 2020, zotëronte rreth 7% të tregut, me një portofol të qirasë financiare prej rreth 710 milionë lekësh. Edhe portofoli i Albania Leasing pësoi rënie të vogël me 1.2%, krahasuar me një vit më parë.

Kompania Mogo Finance, me aktivitet kryesisht në financimin e automjeteve të përdorura, vitin e kaluar pësoi rënie të ndjeshme të portofolit dhe pjesës së saj të tregut. Portofoli i qirasë financiare pësoi një rënie me 45% krahasuar me një vit më parë, ndërsa pjesa e tregut ra në 3%, nga 6% në vitin 2019. Qiraja financiare është aktivitet dytësor edhe për disa institucione të tjera financiare të licencuara, por pesha e tyre e tregut është në nivele shumë të ulëta.

Financimi i aktivitetit, leasing-u mbështetet te bankat mëmë

Qiraja financiare është një formë financimi alternative e kredidhënies, ndaj një element kyç për konkurrencën është kosto e produktit. Në këtë kuptim, aksesi në fonde dhe kosto e sigurimit të tyre është thelbësor për këto institucione financiare.

Jo rastësisht, edhe tregu i qirasë financiare kontrollohet kryesisht nga bankat, nëpërmjet ofrimit direkt të produktit, apo shitjes së tij nëpërmjet institucioneve financiare të kontrolluara, siç është Raiffeisen Bank me Raiffeisen Leasing, Union Bank me Landeslease apo Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka Islamike për Zhvillim (IDB), që janë aksionerët kryesorë të Albania Leasing.

Në rastin e Credins dhe OTP, leasing është i përfshirë në strukturat e bankës dhe ofrohet si produkt i saj, ndaj burim i financimit janë fondet e bankave dhe kryesisht depozitat. Kompanitë e tjera mbështeten për financimin e aktivitetit të qirasë financiare, kryesisht në linjat e financimit nga kompanitë mëmë.

Të dhënat e bilanceve tregojnë se aktiviteti i Raiffeisen Leasing mbështetet kryesisht në financimet e bankës mëmë Raiffeisen. E njëjta gjë ndodh edhe me Landeslease, që punon kryesisht me linja kredie të aksionerit Union Bank. Madje, edhe Porsche Leasing, e vetmja kompani e rëndësishme që nuk ka lidhje direkte me një bankë, mbështetet me një linjë të madhe financimi nga kompania e lidhur Porsche Financial Group.

Fitimet, në rënie

Viti 2020 solli rënie të fitimeve për shumicën e institucioneve financiare të leasing-ut. Sipas pasqyrave financiare, kompania që siguroi fitimet më të mëdha për vitin 2020 ishte Raiffeisen Leasing, në shumën e 65 milionë lekëve. Krahasuar me vitin paraardhës, fitimi para tatimit i Raiffeisen Leasing pësoi rënie me 8.5%.

E dyta renditet Porsche Leasing, me një fitim prej 36 milionë lekësh, në rënie me 18.1% krahasuar me një vit më parë.

Landeslease raportoi për vitin 2020 fitim para tatimeve në vlerën e 30 milionë lekëve, në rënie me 43% krahasuar një vit më parë.

Përgjithësisht, rënia e fitimeve për institucionet kryesore të tregut ka ardhur nga një rritje e lehtë e zhvlerësimeve të qirasë financiare (provigjionimeve), në kushtet e përkeqësimit të mjedisit ekonomik dhe shtimit të rreziqeve. Megjithatë, ashtu si për sektorin bankar, efekti i krizës në performancën financiare ka qenë i kufizuar, madje disa prej subjekteve kanë shënuar rritje të lehtë.

Albania Leasing ishte i vetmi subjekt që shënoi rritje të fitimit gjatë vitit 2020, për një shifër totale prej 9 milionë lekësh, nga 0.4 milionë lekë që kishte qenë ky fitim për vitin 2019.

Edhe Mogo Finance e përmirësoi rezultatin financiar, por përmirësimi në fakt konsistoi në reduktimin e humbjeve, që zbritën në 55 milionë lekë, nga 187 milionë lekë një vit më parë. Credins dhe OTP Albania e kanë të përfshirë aktivitetin e qirasë financiare në strukturat e bankave dhe nuk raportojnë pasqyra të veçanta të të ardhurave dhe shpenzimeve për këtë segment.

Në vlerë absolute, aktiviteti i leasing nuk siguron fitime shumë të mëdha, edhe për shkak të përmasave relativisht të vogla të tregut. Megjithatë, në vlera të përafërta të kthimit nga kapitali, institucionet fitimprurëse, si Landeslease, Raiffeisen Leasing apo Porsche Leasing kanë kthime dyshifrore, që luhaten në intervalin mes 10% dhe 20%.