Britania e Madhe pritet të njoftojë një plan për të dhënë viza të përkohshme për drejtuesit e kamionëve, në mënyrë që të lehtësojë mungesën e forcës punëtore, që ka çuar në racionimin e karburantit në disa zona. Ndërkohë, shitësit me pakicë kanë paralajmëruar për ndërprerje të rëndësishme të furnizimit, gjatë periudhës së festave të fundvitit.
Ndërsa radhët e gjata ishin krijuar në pikat e karburanteve, kryeministri Boris Johnson deklaroi se do të merren disa masa të përkohshme, për të zgjidhur problemin e mungesës së drejtuesve të kamionëve, që përdoren për transportimin e mallrave. Mediat britanike raportojnë se, qeveria do të lejojë në vend rreth 5 mijë shoferë të huaj, duke i dhënë viza afatshkurtra, një masë të kompanitë e logjistikës dhe shitësit me pakicë e kanë kërkuar prej muajsh, por që qeveria e kishte përjashtuar deri më tani.
Shoqata e Transportit Rrugor në Britaninë e Madhe thotë se vendi ka nevojë për më shumë se 100 mijë shoferë, për të plotësuar kërkesën. Mungesa e shoferëve të kamionëve është shkaktuar pjesërisht nga Brexit dhe nga Covid-19. Qeveria i ka bërë thirrje qytetarëve të mos blejnë nën panik, pasi nuk ka mungesa në furnizim, po thjesht probleme me transportimin e karburantit. Por, pavarësisht kësaj radhë të gjata janë krijuar në pikat e karburanteve pasi British Petroleum njoftoi se do të mbyllë disa nga pikat e saj, për shkak të mungesës së shoferëve./Scan tv/