Komuna e Fushë Kosovës gjatë vitit 2020, disa prej subvencioneve të parashikuara për fermerët, i kishte ndalur për vete, me arsyetimin se ‘iu duhen’ për nevoja të mirëmbajtjes së hapësirave komunale.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) me rastin e auditimit të kësaj komune, ka evidentuar shkelje e parregullësi të shumta në dhënien e subvencioneve nga ana e drejtorive përkatëse të komunës, përcjell Buletini Ekonomik.
Gjatë ekzaminimit fizik të njërës prej kontratave në Fushë Kosovë, ZKA kishte identifikuar që ‘’Furnizimi me mekanizëm bujqësor ‘’ (96 copë) për fermerët përfitues të komunës në vlerë prej 70 mijë e 342 eurove, nuk ishte shpërndarë i gjithë mekanizmi te ta.
2 copë Trimer Kositëse bari, Kultivator WM 1100A-6 (2copë), Kositëse me benzin Beker LP-LM61 (2 copë), Prerëse bari professional për fusha futbolli -Traktor villager VT 1000HD dhe Prerëse bari për parqe dhe fusha futbolli Traktor villager VT 980, ishin mbajtur në depo të komunës për qëllim të mirëmbajtjes për nevojat e komunës.
Vlera totale e këtyre mjeteve sipas furnizimit është 6 mijë e 710 euro, dhe përpos kësaj mekanizmat bujqësore të mbajtura në depo nuk ishin regjistruar si pasuri të komunës fare.
Arsyetimi nga zyrtari përgjegjës dhënë për ZKA-në ishte se disa nga furnizimet apo nga mekanizmi bujqësor, ishin destinuar për nevoja të komunës për mirëmbajtje të hapësirave komunale.
Mirëpo, mos shpërndarja e gjithë mekanizmit bujqësor për fermerët e komunës për çfarë është paraparë edhe me thirrjen publike, Auditori i Përgjithshëm konstaton se është në kundërshtim me rregulloret e subvencioneve, për shkakun se komuna nuk mund ta subvencionojë vetveten, por nëse ka nevojë për mjete të tilla, ajo duhet t’i blejë dhe financojë vet këto pajisje nga programet tjera dhe jo nga subvencionet e parapara për stimulimin dhe zhvillimin e bujqësisë.
Rekomandohet që kryetari i komunës të sigurojë që mjetet e dedikuara për subvencionim të fermerëve sipas thirrjes publike, të shpërndahen të gjitha për fermerët dhe nëse komuna ka nevojë për pajisje të tilla, furnizimet t’i kryejë nga linjat tjera buxhetore dhe varësisht prej vlerës së tyre, t’i regjistroj si pasuri kapitale apo jo kapitale.
Përveç kësaj, komuna e Fushë Kosovës kishte subvencionuar edhe përfitues të ndryshëm për të njëjtin projekt disa herë.
Kjo komunë kishte subvencionuar dy herë të njëjtin projekt ‘’Rritja e kohezionit social dhe ndëretnik, përmes aktiviteteve kulturore dhe sportive’’ tek dy përfitues të ndryshëm.
Përfituesi i cili ishte mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në vlerë prej 2,000€ ishte përfitues individual dhe nuk kishte marrëveshje /kontratë me komunën, si dhe nuk kishte dorëzuar kurrfarë raporti për fondet e shfrytëzuara. Ndërsa përfituesi tjetër ishte REIS (Instituti për Hulumtim, Trajnim dhe Edukim) në vlerë prej 5 mijë euro, i mbështetur nga drejtoria për Arsim, kishte marrëveshje me komunën dhe ka dorëzuar raporte financiare për aktivitetet e kryera.
Në anën tjetër, Komisioni Vlerësues nuk kishte arritur të identifikojë që ka mbështetur të njëjtin projekt për dy përfitues të ndryshëm. Kjo sipas zyrtarëve komunal, kishte ndodhur shkaku i pandemisë dhe numrit të madh të projekteve të mbështetura.
E mbështetja e të njëjtit projekt për dy përfitues të ndryshëm, sipas ZKA-së tregon për kontrolle të pamjaftueshme dhe mundësi të shpërdorimit të fondeve publike.
E njëjta komunë, po ashtu ka dhënë subvencione pa lidhur kontratë fare mes komunës dhe përfituesve dhe gjithashtu kishte munguar edhe raportimi financiar nga ana e përfituesve siç kërkohet edhe me rregullore.
Kështu, OJQ-ja ”Qendra e liderëve të rinjë të komunitetit” në Fushë Kosovë kishte përfituar mjete financiare në vlerë prej 2,000€, me destinim për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve për realizimin e një vizite studimore të 25-30 studentëve të komunitetit RAE, në Republikën e Shqipërisë sipas ftesës së OJQ ”Roma Versitas Albania” me seli në Tiranë.
Në kërkesën për mbështetje financiare, OJQ-ja nuk kishte paraqitur projektpropozimin por vetëm ftesën e OJQ-së nikoqire. Përveç që nuk kishte kontratë mes përfituesit dhe komunës, OJQ-ja përfituese nuk kishte realizuar vizitën studimore në Republikën e Shqipërisë. Kjo ishte zëvendësuar me vizitën apo shëtitjen njëditore në Prevallë dhe për mjetet e shpenzuara kishte prezantuar dëshmi jo të duhura.
Por, ZKA-ja thotë se mungesa e kontratës me përfituesin e mbështetjes financiare nuk krijon detyrime ndaj përfituesit për raportim për fondet e pranuara dhe shmang monitorimin e projekteve për të siguruar se është arrit qëllimi për të cilin është ofruar mbështetja financiare publike.
Komuna e Fushë Kosovës, ka pasur raste edhe kur ka funksionuar pa ndonjë plan vjetor për mbështetjen financiare për OJQ-të, duke subvencionuar kështu organizata pa kurrfarë shpallje publike.
Nga mostrat e testuara në ZKA, në gjashtë raste, komuna kishte bërë financimin e OJQ-ve pa shpallje publike, për shkak të kujdesit jo të duhur të zyrtarëve përgjegjës të komunës për të mbështetur kërkesat ligjore, lidhur me planifikimin, raportimin dhe financimin e të gjitha OJQ-ve përmes shpalljes publike. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/