Kryeqytetasit brenda dy vjetësh do të paguajnë nxemjen qendrore në bazë të konsumit e jo të metrit katror.
Blendrita Avdiu
Projekti i zëvendësimit të matësve të energjisë termike do të kushtojë 10 milionë dollarë, mjete këto që do të financojë qeveria amerikane nëpërmjet Fondacionit të Mijëvjeçarit të Kosovës.
Termokosi ka paralajmëruar se do të nisë zëvendësimi i pagesës në bazë të metrit katror të hapësirës së ngrohjes, siç është aplikuar deri tani, me pagesën në bazë të harxhimit të ngrohjes. Ky projekt, që nga zyrtarët e Termokosit vlerësohet si kompleks dhe i kushtueshëm, praktikisht është në fazën e përgatitjeve për ta zbatuar dhe finalizuar sa më shpejtë që është e mundshme.
Zëdhënsja për informin në Termokos, Aferdita Uka ka thënë se projekti i vendosjes së matësve të energjisë termike tek konsumatorët është një projekt që do të realizohet në bashkëpunim me Millenium Challenge Corporation (MCC), nga granti prej 10 milionë dollarësh, që ka ndarë Qeveria Amerikane për ta finalizuar këtë projekt që parashihet të realizohet në dy vitet e ardhshme.
Sipas saj, ky projekt është në proces të përzgjedhjes së kompanisë punëkryese, pas përcaktimit të punëkryesit, pritet fillimi i punimeve në terren.
Në Termokos por edhe nga njohësit e ekonomisë, vlerësohet se faturimi sipas konsumit të ngrohjes do të ketë shumë përparësi, në radhë të parë për t’iu mundësuar qytetarëve faturim korrekt, pra për vetëm aq energji termike sa ata do të shpenzojnë.
“Kjo metodë e re do të kursejë xhepin e konsumatorëve. Ndërkaq, ndërmarrja, përveç që do të modernizojë shërbimet e veta, nga kjo mënyrë e re e faturimi do të ketë mundësinë që energjinë e kursyer ta shpërndajë tek konsumatorët e rinjë”, tha Uka për Buletinin Ekonomik.
Motivi kryesor, për ndryshimin e mënyrës së faturimit, sipas zyratrëve të kësaj ndërmarrje ka qenë sigurimi i një faturimi korrekt për konsumatorët si dhe krijimi i mundësive për shtrirjen e rrjetit edhe tek konsumatorët e tjerë./Buletini Ekonomik/