Thellohet kriza e energjisë në Europë: Disa vende i kthehen qymyrit

Kriza e energjisë në Europë dhe në Kinë nuk po shfaq shenja të lehtësimit. Liderët e Bashkimit Europian do të vendosin tavan mbi çmimet dhe do të ofrojnë subvencione, ndërsa Kina ka rritur prodhimin e qymyrit në vend. 

Kriza e energjisë në Kinë është thelluar edhe më tej gjatë fundjavës, me çmimet e qymyrit që prekën një nivel të ri rekord, në një kohë që i ftohti ka prekur vendin. Edhe rritja e çmimeve të gazit ka detyruar kompanitë më të mëdha të energjisë të kërkojnë kontrata afatgjata me furnizuesit në Shtetet e Bashkuara. Siguria energjetike është ngjitur në krye të axhendës së qeverive në Azi dhe Europë, pasi mungesa e qymyrit dhe rritja drastike e çmimeve të energjisë po shkaktojnë mungesë të energjisë, duke mbyllur fabrikat që furnizojnë firmat më të mëdha në botë, si Apple.

Për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve të energjisë, ndërkohë që dimri po afron, liderët e Bashkimit Europian po marrin masa emergjente duke përfshirë vendosjen e tavanit mbi çmimet dhe subvendcione, të cilat do të prezantohen në samitin e javës së ardhshme. Kina, që është importuesja më e madhe në botë e energjisë, është goditur fort nga kjo krizë dhe kompanitë më të mëdha si Sinopec dhe Kompania Shtetërore e Naftës janë në bisedime me eksportuesit amerikanë për të nënshkruar kontrata afatgjata për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror.

Reklama e sponzorizuar

Diskutimet mund të çojnë në marrëveshje me vlerë dhjetra miliarda dollarë për vitet në vijim. Për shkak të mungesës së energjisë, Kina dhe shumë vende të tjera u rikthyen te qymyri në terma afatshkurtër, por kjo u cilësua si një goditje ndaj planeve kundër ngrohjes globale. Pekini zyrtar ka marrë disa masa emergjente për të parandaluar rritjen e çmimeve, duke përfshirë rritjen e prodhimit të qymyrit në vend dhe uljen e furnizimit për industritë që konsumojnë shumë energji./SCAN TV/