Viteve të fundit në Kosovë është aktualizuar shumë procesi i pagesave përmes POS-ëve nëpër dyqane. Mirëpo, sado që një veprim i tillë ua ka lehtësuar blerjet konsumatorëve, një barrë të madhe tjetër po e mbajnë mbi supe bizneset kosovare.
Të gjitha bizneset që tashmë ofrojnë mundësinë e pagesave përmes POS-ëve bankar në vend, janë duke e paguar një çmim shumë të lartë të tarifës për këto pagesa, përcjell Buletini Ekonomik.
Këto biznese po ngarkohen me tarifa madje shumëfish më të larta sesa në të gjithë rajonin e Bashkimit Evropian.
Nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë (RrShP) kanë bërë të ditur se sipas hulumtimeve të tyre, kanë gjetur disa rregullore të vendeve të BE-së, në të cilat saktësohet se nuk duhet të ketë fija (tarifa) kaq të larta për bizneset, të cilat iu ngarkohen në rast të pagesës përmes POS-it.
Përderisa në vendet e Bashkimit Evropian (BE) këto tarifa janë jashtëzakonisht të ulëta prej vetëm 0.2% si tarifë fikse, e njëjta në Kosovë shkon nga 1-deri në 3%, që konsiderohet si tarifë shumë e lartë për bizneset. Përpos kësaj, në vendet e BE-së bizneset madje kanë edhe mundësinë e negociimit me bankat që këto tarifa të jenë edhe më të ulëta, shpjegojnë nga RrShP-ja.
Albion Ujkashi, menaxher i projekteve në Rrjetin e Shitësve me Pakicë në Kosovë, thotë për Buletinin Ekonomik se këtë proces janë duke e parë si një sfidë të madhe për bizneset dhe se e si përfaqësues të bizneseve, ata e konsiderojnë si shumë me rëndësi, duke e marrë parasysh faktin se tashmë në sektorin e shitjes me pakicë vazhdimisht po ka rritje të blerjeve që bëhen përmes kartelës.
Sipas Ujkashit, çështje në vete më herët kanë qenë edhe tarifat që konsumatorët detyroheshin të paguanin për këto blerje përmes POS-ëve, pavarësisht se në cilin POS kryhej pagesa, mirëpo pas reagimit të tyre siç thotë Ujkashi, kjo çështje është zgjidhur nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), derisa tarifat për bizneset ende kanë mbetur në fuqi.
“Ne e kemi bërë një hulumtim brenda organizatës me anëtarët që ne i kemi, d.m.th., fia-t janë tarifat jashtëzakonisht të larta edhe që shkojnë nga 1-3%, mirëpo në raste të tjera edhe më shumë për pagesë përmes POS-ave e që janë të mëdha, k marrim për bazë faktin që në vendet e BE-së këto tarifa janë jashtëzakonisht të ulëta apo fillojnë nga një tarifë fikse me 0.2%, dhe ku bizneset mund të negociojnë me bankat që ato tarifa të jenë të ulëta“, është shpehur Ujkashi. /Buletini Ekonomik/