Problemet e bizneseve me pakicë në Kosovë: Nga mostrajtimi i kallos deri te kthimi i centëve

Shumica e bizneseve me pakicë në Kosovë si pasojë e pandemisë kanë hasur në probleme me operimin dhe mbijetesën e tyre. Bizneset e vogla dhe të mesme në Kosovë kanë ankesa jo të pakta me mostrajtimin siç duhet të kallos nga organet kompetente, me vendosjen e flamujve të origjinës pranë produkteve, si dhe me reduktimin e qeseve të plastikës.

Blendrita Avdiu

Bizneset e vogla dhe të mesme në Kosovë kanë ankesa jo të pakta me mostrajtimin siç duhet të kallos nga organet kompetente, me vendosjen e flamujve të origjinës pranë produkteve, si dhe me reduktimin e qeseve të plastikës, me të cilat deri më tash me shumicë shërbehen konsumatorët për ta ambalazhuar e bartur mallin e blerë.

Reklama e sponzorizuar

Albion Ujkashi, menaxher i Rrjetit të Shitësve me Pakicë (RrShP) për Buletinin Ekonomik ka thënë se mostrajtimi i kallos është njëri ndër problemet e ndjeshme me të cilin ballafaqohen bizneset e shitjes me pakicë në tregun kosovar (Kallo është emërtim tjetër për mbetjet, tepricat, e produkteve të ndryshme që dëmtohen gjatë qëndrimit në stoqe dhe gjatë shërbimeve të ndryshme). Bizneset që kanë veprimtari shitjen me pakicë, pra detyrohen të paguajnë TVSH edhe për produktet e dëmtuara. Këtij dëmtimi i ekspozohet, më shumë sektori i tregtimit të pemëve dhe perimeve, pasi produktet dëmtohen më lehtë, ende pa arritur tek konsumatori final.

Dëmtimi me pasoja për tregtarin, apo pronarin e shitjes me pakicë të pemëve dhe perimeve shënohet dhe eshtë evident, nëse prudukti qëndron më gjatë në stoqe, apo në rafte. Nuk janë rastet e pakta kur tregtari detyrohet të hedhë një sasi bukur të madhe produktesh nga këto dëmtime.

Tregtarët kërkojnë që të rregullohet kjo çështje, duke shtuar se këtë mund ta bëjnë institucionet kompetente dhe përkatëse të vendit. Edhe Ujkashi pohon se një gjë e tillë është lehtë e rregullueshme përmes kodit doganor edhe ligjeve përkatëse. Sipas tij, duhet të krijohet një grup punues për përcaktimin e marzhave të humbjeve dhe të përpilohet një udhëzim administrativ, me çka do t’u lehtësohej puna gjatë vlerësimit të dëmeve edhe bizneseve edhe institucioneve mbikëqyrëse.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka ofruar edhe disa alternativa konkrete lidhur me këtë çështje. Për trajtimin e këtij problemi Rrjeti ka kërkuar që të merren për bazë përvojat e Kroacisë dhe Sllovenisë, të cilat i kanë të përcaktuara marzhat e humbjeve të lejuara për kategoritë e ndryshme të produkteve.

“Statistika të sakta nuk ka për humbjet nga dëmtimet e tregtarëve si pasojë e kallos. Por humbjet janë të ndryshme dhe lëvizin varësisht nga lloji i tregtisë dhe asortimenti i produkteve. Humbjet nuk janë aq të mëdha në sektorin e tekstilit, bie fjala, sa i përket shitjes me pakicë, sa jane te tregtimi i frutave dhe perimeve të cilat rëndom gjatë qëndrimit më të gjatë në rafte dhe stoqe ose kalben ose prishen. Në këtë mënyrë, domosdo duhet t bërë asgjësimi i tyre. Trajtimi institucional i këtij dëmtimi, përkatësisht lirimi nga tatimet për kategoritë e produkteve të caktuara që është evidente se i nënshtrohen dëmtimit, do të ishte mbase një nga zgjidhjet e pranueshme ”, thonë zyrtarët e Rrjetit të Shitësve me Pakicë.

Një problem tjetër që po i ngarkon bizneset e shitjes me pakicë janë edhe pagesat që bëhen përmes POS-ave nëpër dyqane.

Sipas Ujkashit, në sektorin e shitjes me pakicë kohët e fundit janë rritur blerjet përmes kartelave, andaj kërkohet që as konsumatorët, por as bizneset nuk duhet të ngarkohen me pagesa të tarifa të ndryshme varësisht se në cilin POS e kryejnë pagesën. Edhe në bazë të rregulloreve të vendeve të BE-së, nuk duhet të ketë tarifa të larta për bizneset në raste të pagesës me kartelë. Pra, bizneset kërkojnë të mos ngarkohen me pagesa shtesë dhe me çmime të larta në rast të pagesave përmes POS-ëve.

Ujkashi ka shpjeguar se në bazë të një hulumtimi të bërë me antarët e Rrjetit është konstatuar se tarifat për bizneset janë jashtëzakonisht të larta dhe në shumë raste ato shkojnë nga 1 deri në 3 për qind e çmimit të shitjes, ndërkohë që në vendet e BE-së këto tarifa janë jashtëzakonisht të ulëta e që fillojnë nga një tarifë fikse me 0.2%, dhe ku bizneset kanë mundësinë e negociimit me bankat.

Një ndër problematikat e tjera të bizneseve është edhe çështja e flamujve të origjinës së produkteve. Sipas Rrjetit me Pakicë është shumë sfiduese për shitësit me pakicë kjo çështje, për shkakun që sektori i tregtisë me pakicë është shumë dinamik dhe zhvendosja e produkteve prej një rafti në raftin tjetër nëse kushtimisht ndodhë shpesh, është problem për tregtarët. Problem paraqet edhe afati i skadencës dhe promovimeve të ndryshme, që nuk mund të përkthehet nga ana e stafit të punësuar në këto biznese. Pikërisht për këto probleme, siç thotë Ujkashi, bizneset kanë marrë edhe gjoba të konsiderueshme nga Inspektorati i Tregut.

Sipas Rjetit të Shitësve me Pakicë, kjo procedurë e zhvendosjes së flamujve të origjinës po ashtu është edhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA).

Ujkashi foli edhe për kthimin dhe marrjen e parave të imëta, 1 dhe 2 cent, në këto dyqane. Sipas tij, është më se e nevojshme praktikimi i kthimit të kusurit të parave të imta, në mënyrë që të ketë korrektësi, por edhe mos ketë humbje as biznesi por as konsumatori. Mirëpo, sipas tij, mosfurnizimi i bizneseve nga ana e BQK-së me këto monedha ka qenë edhe arsyeja kryesore e moskthimit të tyre deri më tani.

“Këtu nuk ka qëllim nga ana e bizneseve që më përfitu nga këto centë pasiqë përfitimet parashikohen kur vendosen marzhat e fitimit në produktet e caktume. Ne kemi pas një inicativë që BQK-ja me i furnizu të gjitha pikat e shitjes me para të imëta në mënyrë që konsumatorëve të ju ofrohet ky shërbim”, përfundoi Ujkashi. /Buletini Ekonomik/