Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka miratuar sot buxhetin e agjencisë për vitin e ardhshëm, duke bërë shkurtime në paga dhe mëditje sipas vendimit që u mor ditë më parë në mbledhjen e Bordit.
Sipas këtij vendimi, të gjithë të punësuarit në AKP tashmë do të marrin paga për 30% më të ulta.
“Bordi gjatë këtij takimi diskutoi dhe e miratoi buxhetin e Agjencisë për vitin e ardhshëm 2022, me kursime në paga dhe mëditje sipas vendimit që mori në mbledhjen e shkuar për shkurtim të pagave dhe mëditjeve në masën 30 për qind për të gjithë të punësuarit e AKP-së”, thuhet në një komunikatë për media nga AKP-ja pas mbledhjes së mbajtur sot.
Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhje, zëvendës drejtori i AKP-së, Avni Jashari u emërua Zëvendësues i Drejtorit Menaxhues të AKP-së. Ndërkohë, Bordi vendosi inicimin e procedurës së rekrutimit edhe për pozitën e Drejtorit Menaxhues sipas Ligjit për Zyrtarët Publik. /Buletini Ekonomik/