Aliu: Studimet e parafizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë janë kryer, pritet të fillojë puna teknike

Ministri i Mjedisit Liburn Aliu, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka dhënë informacione për rrugën Prizren-Tetovë.

Ministri Aliu ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm për shkak se lidh Prizrenin me Tetovën, e po ashtu lidhet edhe me rrugë që qojnë në Shkup, Durrës, Prishtinë e Tiranë.

“Do të prezantoj vendimin e sotëm të qeverisë për krijimin e komisionit nga ana e qeverisë për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë. Ky është hap konkret pas marrëveshjes e cila u nënshkrua në Shkup në mes të dy kryeministrave dhe e cila ka të bëjë me realizimin e një projekti të rëndësishëm që përpos që lidh dy qytetet, Prizrenin dhe Tetovën, lidh edhe dy korridore shumë të rëndësishme që është korridore 8 që nga Shkupi arrin në Durrës përmes Librazhdit dhe korridorit, rrugës së Kombit, nga Prishtina në Tiranë. Këto dy korridore do të mund të lidhen në mes veti përmes rrugës Prizren-Tetovë”, ka deklaruar ai.

Reklama e sponzorizuar

Aliu ka thënë se studimet e parafizibilitetit janë kryer dhe me vendimin e sotëm të qeverisë do të filloj puna konkrete teknike.

“Studimet parafizibilitetit tashmë janë bërë nga ana e Drejtorisë së Rugëve në Republikën e Maqedonisë dhe me nënshkrimin e marrëveshjes mes dy qeverive në Shkup dhe me vendimin e sotëm do të filloj puna konkrete teknike drejt përfundimit të këtij studimi dhe fillimit të projektit të menjëhershëm për realizimin e kësaj rruge”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës me propozimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeveria ka miratuar edhe dy vendime për themelimin e Komisionit për vlerësimin dhe studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë; dhe Komisionit për përgatitjen e para llogarisë dhe planit ideor për zbatimin e rehabilitimit të zonës tampon të Hanit të Elezit ndërmjet dy objekteve kufitare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.