ATK me njoftim për të punësuarit rreth subvencionimit të pagave

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se deri me datë 15 tetor të punësuarit mund të aplikojnë për subvencionim të pagës përmes aplikacionit të publikuar në ueb-faqe të ATK.

Përmes një njoftimi në Facebook, ata kanë thënë se bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 13/19, Vendimet për subvencionim sipas masave janë:

– Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë;

Reklama e sponzorizuar

– Mbështetja për të punësuarit e formalizuar, si dhe

– Mbështetja e punësimit të grave, Administrata Tatimore e Kosovës, ka zhvilluar aplikacionin dhe tashmë të punësuarit mund të parashtrojnë kërkesat e tyre për të përfituar nga këto masa.

Në njoftim tutje thuhet se të drejtë aplikimi kanë të gjithë të punësuarit e rinj, të cilët janë të deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës për periudhat nga Korrik/2021 e tutje.

Krahas kësaj të punësuarit kanë mundësi të aplikojnë për të përfituar nga masat e Pakos së e Ringjalljes Ekonomike, si më poshtë:

Masa 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë – Mbështetje për tre (3) muaj nga njëqind euro (100€);

Masa 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar – Mbështetje për tre (3) muaj nga pesëdhjetë euro (50€);

Masa 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave – Mbështetje për tre (3) muaj nga pesëdhjetë euro (50€);

“Aplikacioni “Pako e Ringjalljes Ekonomike – Kërkesë për subvencionim të pagës” është në dispozicion të tatimpaguesve, gjegjësisht të punësuarve në ueb-faqen e ATK-së ww.atk-ks.org – tek linku Shërbimet elektronike.ATK, çdo herë e gatshme në ofrimin e shërbimit për tatimpagues” përfundon njoftimi i ATK-së./Buletini Ekonomik/