“Avokatura Istrefi” dyshon se po zvarritet qëllimshëm likuidimi i Insig-ut

Pas më shumë se dy vjetëve nga futja në proces të likuidimit të kompanisë së sigurimeve “INSIG”, rreth 600 policëmbajtës ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje se kur do të kompensohen për dëmet nga aksidentet. Nga likuidatori dhe Banka Qendrore e Kosovës nuk kanë dhënë afat kohor se kur do të përfundojë procesi i likuidimit.

Mirjeta Shabani

Qindra qytetarë që kishin polica në “Insig”, kompani tashmë në likuidim, janë duke ‘vrapuar’ nëpër gjykata e nëpër zyre ligjore qe dy vjet në kërkim të së drejtës së tyre për kompensim të dëmeve nga aksidentet.

Reklama e sponzorizuar

Në fakt, procesi i likuidimit të kompanisë “Insig” ka nxjerrë në pah të dhëna shqetësuese për numrin e mijëra qytetarëve që janë dëmtuar deri më tani financiarisht nga falimentimi i kësaj kompanie. Sipas përllogaritjeve të BQK-së, në total 7.4 milionë euro kanë qenë detyrimet e “Insig”-ut ndaj policëmbajtësve dhe të aksidentuarve në Kosovë, në momentin kur i është revokuar licenca.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) më datë 26 prill të vitit 2019 kishte marrë vendim që t’ia revokojë licencën kompanisë së sigurimeve “Insig Sh.A.”, duke e futur kështu në proces të menjëhershëm të likuidimit.

Kjo kompani kishte falimentuar si pasojë e vështirësive financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës, përcjell Buletini Ekonomik.

Në këtë vendim, përcaktohej që të fillonte menjëherë procedura e likuidimit të detyrueshëm së pari me emërimin e likuidatorit, të cilit i ngarkohej detyra që sa më shpejtë ta përfundojë procesin e likuidimit bazuar në Ligjin Nr. 05/L-045 për sigurimet. Mirëpo, edhe tani që janë bërë fiks 2 vjet e 7 muaj nga futja në likuidim, ende nuk dihet se deri ku ka shkuar ky proces.

Ndërkohë, qytetarët të cilët ende nuk janë kompensuar, janë detyruar që të angazhojnë edhe zyrë ligjore për të kërkuar kompensimin e dëmit. Bëhet fjalë për rreth 500 qytetarë të cilët nuk janë pajtuar me shumat për kompensim që kanë pranuar nga zyra e likuidatorit. Në disa raste përkundër vendimit të gjykatës, vlerësimet e dëmeve kanë qenë më të ulëta.

Në “Avokaturën Istrefi” në Prishtinë tashmë kanë shkuar gjithsej 50 lëndë të tilla nga qytetarët. Mirëpo, nga kjo zyre që tani përfaqëson këta 50 qytetarë të dëmtuar, thonë se sipas dispozitave ligjore, nuk ka asnjë arsye ligjore që likuidatori edhe për më shumë se dy vite pas vendimit për likuidim, të mos i përmbushë detyrimet ligjore që ka ndaj palëve të dëmtuara.

“Avokatura Istrefi” tashmë ia ka dërguar edhe një kërkesë për informim BQK-së, likuidatorit të kësaj kompanie si dhe Komitetit Likuidues, lidhur me procesin e likuidimit të kompanisë INSIG, kërkesë kjo të cilën e ka siguruar Buletini Ekonomik.

Përfaqësuesit e 50 të dëmtuarve nga kompania “Insig”, thonë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë informacion nga organet kompetente se deri ku ka arritur të shkojë procesi i likuidimit, as sa do të zgjasë kjo procedurë dhe se kur do të përfundojë. Gjithashtu, ata nuk kanë marrë as ndonjë përgjigje zyrtare se cila është arsyeja e mosekzekutimit të dëmeve për palët e dëmtuara deri më tani, proces ky për të cilin, sipas tyre, BQK-ja, Komiteti Likuidues dhe likuidatori mbajnë përgjegjësi ligjore.

Arbër Istrefi, avokat në zyrën e “Avokaturës Istrefi”, thotë se kanë pranuar njoftime nga ana e likuidatorit, në të cilat thuhet se “për përmbushjen e detyrimeve në vlerën e aprovuar nga ana e likudatorit, jeni të obliguar që të paraqiteni në zyrat e “Insig” në likuidim dhe të nënshkruani marrëveshje jashtëgjyqësore. Mirëpo, sipas tij, qytetarët që ai përfaqëson nuk janë pajtuar me shumat e vlerësuara për kompensim nga likuidatori. Si pasojë, kompensimi për këto raste ka mbetur pezull. Istrefi thotë se kanë kërkuar që këto raste të dërgohen tek Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe të kompensohen palët për pjesën jokontestuese të dëmit.

Ttutje, sipas “Avokaturës Istrefi” nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore e cila i obligon palët e dëmtuara, përkatësisht të autorizuarin e të dëmtuarit, që ta nënshkruajë këtë lloj marrëveshje, e cila po kërkohet me raste nga likuidatori. E likuidatori, në bazë të ligjeve në fuqi, sipas kësaj shoqate të avokatëve, ka përgjegjësi eksluzive ligjore që ta përmbushë detyrimin ndaj palëve të dëmtuara sa më shpejtë që është e mundur pa nënshkruar asnjë lloj marrëveshjeje.

Në anën tjetër, Liridon Berisha tash likuidator i “Insig” ka thënë për Buletinin Ekonomik se kanë pranuar 40 kërkesa për zhdëmtim nga “Avokatura Istrefi”. Sipas Berishës për 26 kërkesa kjo zyrë ka njoftuar se nuk pajtohet me vlerat përkatëse kurse për 14 kërkesa tjera thotë se nuk kanë pranuar ndonjë reagim nga ana e tyre.

Ndërsa, sa i përket numrit të saktë të policëmbajtësve të pakompensuar në këtë kompani në likuidim, Berisha thotë se deri më 30 shtator të këtij viti, numri i kërkesave të patrajtuara ka rënë në 596, që në përqindje i bie se janë 23% të kërkesave nga totali.

“Deri më datë 30.09.2021 në kompaninë INSIG në Likuidim, janë pa kompensuar 596 kërkesa për dëmshpërblim, shprehur në përqindje 23% të kërkesave nga totali i dëmeve. Këto kërkesa janë trajtuar nga komisioni i likuidimit dhe janë lajmëruar palët e kërkuar që të plotësohen me dokumentacionin shtesë që është bazë për trajtimin përfundimtar të tyre”, thuhet në përgjigjet e likuidatorit.

Kurse, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 Për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, Neni 21, në paragrafin 1, thuhet se: “Pas përfundimit të procedurës së likuidimit dhe falimentimit, bazuar në vendimin e plotëfuqishëm të organit kompetent, kërkesat e pashqyrtuara dhe të pa trajtuara nga komisioni likuidues, automatikisht barten tek Byroja”.

Likuidatori Liridon Berisha, kësaj pike iu përgjigj duke thënë se deri më tani sa i përket pjesës kontestuese të dëmit, nuk ka pasur ndonjë vendimmarrje deri në këtë moment nga BQK-ja, edhe pse sipas tij, ai ia ka paraqitur Komitetit të likuidimit pretendimet nga avokatët. Berisha shton tutje se kërkesat nuk mund të barten tek BKS-ja, derisa palët e treta apo përfaqësuesit ligjor të tyre nuk kanë një qëndrim për pjesën më të madhe të dëmeve që janë trajtuar nga ana e likuidatorit, ndërkohë që procedura e likuidimit ka në përmbajtje të saj edhe shumë aspekte të tjera që ndërlidhen me kërkesat, siç janë plotësimet e tyre me dokumentacion të plotë, pasi thotë se shumë kërkesa kanë mungesa në dokumentacion.

Në përpjekjet e tyre rreth kërkimit të së drejtës së tyre për kompensim, ka edhe prej atyre qytetarëve që ndërrojnë jetë ende pa e realizuar këtë të drejtë. Madje, këto raste të kompensimit të dëmit jomaterial janë të përjashtuara nga realizimi i kompensimit, në rast se personi i dëmtuar ndërron jetë para se të gjykohet çështja me Aktgjykim të formës së prerë.

Nga “Avokatura Istrefi” thonë se këtë të drejtë po e pamundëson edhe më shumë prolongimi i likuidimit të Insig-ut, duke mos i ekzekutuar shumat e vlerësuara dhe të miratuara, të cilat nuk mund të ndryshohen në favor të palës.

“Përveç rrezikut se pala mund të ndërrojë jetë dhe t’i mohohet kompenzimi i dëmit, procedura e tejzgjatur pa arsye ligjore apo faktike nuk do të prodhojë kurrfarë efekti pas kaq shumë vonesash. Kjo ndërlidhet edhe me kontradiktën e arsyetimit të vet Likuidatorit, ku shumat e vlerësuara dhe të aprovuara dhe se këto shuma nuk mund të ndryshojnë për shkak të mungesës së mjeteve financiare si pasojë e likuidimit dhe janë shuma fikse të ofruara, atëherë cila është baza ligjore e pritjes dhe mos ekzektimit të të njëjtave?”, thuhet në njërën prej pikave të kërkesës për informim, që kjo zyre ia ka parashtruar BQK-së dhe likudatorit.

Ndërsa, likudatori i “Insig” thotë se “Procedura e likuidimit është një procedurë e ndjeshme dhe se detyra e likuidatorit dhe e stafit të tij, është trajtimi i të gjitha kërkesave konform Ligjit Nr.05/L-045 për Sigurimet”, pa u përgjigjur në pyetjen se kush do të japë përgjegjësi në rastet kur i dëmtuari vdes.

Ai thotë se deri më tani nga totali i kërkesave për kompensim, rreth 77% prej tyre janë paguar. E numri i dëmeve në fillim të procesit ka qenë 2 mijë e 585, në vlerë të 6 milionë e 29 mijë e 743 eurove, kurse në momentin e falimentimit, rreth 36 mijë qytetarë kishin polica aktive në “Insig”, me një vlerë monetare prej 1.5 milionë euro.

Komisioni që do ta likuidojë kompaninë, në një analizë që kishte bërë më 2020, rreth aftësisë së kompanisë për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave të palëve, kishte gjetur se “Insig”-u nuk ka mjete likuide të mjaftueshme për pagesë. Nga analiza kishte rezultuar se koeficienti i pagesës është në masën 81.14 për qind. Kjo do të thotë që policëmbajtësit dhe të aksidentuarit, do të kompensoheshin gati për 20 për qind më pak.

Zyra e “Avokaturës Istrefi” thotë se mospërmbushja e e detyrimeve nga ana e likudatorit për dëmet për të cilat është pranuar baza juridike për kompensim ku është aprovuar shuma bazuar në koeficientin prej 81.14%, po e pamundëson realizimin e së drejtës së palëve në kompenzimin e dëmit për kërkesat e refuzuara, të patrajtuara dhe të pashqyrtuara nga ana e likudatorit.

Bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, në nenin 26, paragrafi 4, thuhet se: “Në pamundësi të përcaktimit të dëmit, respektivisht trajtimit të dëmshpërblimit në tërësi, siguruesi përgjegjës është i detyruar t’i paguajë palës së dëmtuar pjesën kontestuese të dëmit në formë paradhënie, brenda afatit nga paragrafi 1 i këtij neni”.

Prandaj, duke marrë për bazë se komisioni likuidues dhe likudatori kanë vendosur për shumat e aprovuara për dëmet për të cilat kanë vlerësuar se kanë bazë juridike për kompensim, ku për të njëjtat kanë prezantuar njoftimin për vlerën e ofruar bazuar në koeficientin prej 81.14%, atëherë sipas “Avokaturës Istrefi”, likuidatori ka obligim ligjor që pjesën për shumat e aprovuara, bazuar në këtë koeficient t’ua ekzekuojë në llogari të palëve të dëmtuara, përkatësisht të autorizuarve të tyre.

Detyrimet e Insig-ut kanë qenë më të mëdha se asetet e kompanisë përgjatë një periudhe të gjatë kohore, ku kompania kishte pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese (solvencës).

Ndryshe, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), kompania “Insig” është në pronësi të “Eurosig” nga Shqipëria, me pronar Kadri Morinaj. “Eurosig” në vitin 2016 i kishte blerë 100 për qind të aksioneve të “Insig”, e cila ishte po ashtu e pranishme në Kosovë derisa iu revokua licenca.

“Gjatë vitit 2016, kompania e sigurimeve “Insig“ me seli në Tiranë ka shitur 100 për qind të aksioneve të zotëruara nga shteti, duke ndryshuar pronësinë e aksioneve të cilat tani zotërohen ne masën 100 për qind nga shoqëria e sigurimeve “Eurosig “ sh.a me seli në Tiranë, me pronar Kadri Morinaj”, thuhet në ueb faqen zyrtare të “Eurosig”-ut.

Likuidimi si proces tregu parashihet me Ligjin nr. 05/L-045 për Sigurimet, dhe është veprimi i fundit që e ndërmerr BQK-ja për mbylljen e një subjekti në treg. Para likuidimit, BQK-ja së pari e merr nën administrim kompaninë që ka probleme, por nëse gjendja nuk arrin të përmirësohet, atëherë kompania shkon në likuidim dhe në mbyllje totale. Gjë që kishte ndodhur edhe me kompaninë e sigurimeve INSIG. /Buletini Ekonomik/