Ekonomia e Shqipërisë, si vendet e tjera të rajonit, po rimëkëmbet më shpejt nga sa pritej pas recesionit historik të krijuar nga pandemia e Covid-19, por rritja e bazuar te zhvillimet në sektorin e ndërtimit nuk sigurojnë përfitime afatgjata.
Qeveria e Shqipërisë duhet të investojë në edukim, inovacion dhe në ekonominë e gjelbër që ta vërë ekonominë në baza rritje të qëndrueshme, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë sot në prezantimin e Raportit të Rregullt Ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Raporti periodik i Bankës evidentoi se pas tkurrjes së ekonomisë me 4 për qind në vitin 2020, rritja e PBB-së parashikohet të arrijë në 7.2 për qind në 2021, një nga më të lartat në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Rimëkëmbja e fortë mbështetet nga konsumi, turizmi dhe ndërtimi. Në vazhdim, rritja pritet të zbutet në 3.8 për qind në 2022 dhe 3.7 për qind në 2023.
Punësimi dhe pjesëmarrja në forcën e punës po rimëkëmbet, edhe pse me një vonesë, dhe pagat reale po rriten.
“Ekonomia shqiptare ka treguar shenja inkurajuese të rimëkëmbjes në 2021,” tha Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë . “Ndërsa ekonomia vijon të rritet, Shqipëria ka mundësinë të forcojë qëndrueshmërinë e modelit të saj ekonomik dhe të zbatojë reforma që mbështesin më tej rritjen e qëndrueshme dhe të përbashkët, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.”
Raporti tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor është përmirësuar ndjeshëm, me rritjen e PBB-së që tani parashikohet të arrijë në 5.9 për qind në 2021, pas një tkurrjeje prej 3.1 për qind në 2020. Rritja në rajon parashikohet në 4.1 për qind në 2022 dhe 3.8 për qind në 2023.
Shkalla e varfërisë për rajonin parashikohet të rifillojë prirjen e saj rënëse para pandemisë dhe të bjerë me rreth 1 pikë përqindje në 20.3 për qind, afër nivelit të saj të vitit 2019.
Rimëkëmbja në të gjithë rajonin është për shkak të fuqisë si në kërkesën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme. Një rikthim i shpejtë në konsumin e brendshëm dhe në turizëm në të gjithë Evropën ndihmoi në rritjen e dërgesave të emigrantëve, si dhe hyrjeve të turizmit gjatë sezonit të pikut veror të vitit 2021. Një rimëkëmbje e fortë në ekonomitë e përparuara siguroi gjithashtu një nxitje të kërkesës për eksportet e rajonit.
Megjithatë, rimëkëmbja mbetet e brishtë, lajmëron Banka. Sinjalet paralajmëruese të hershme nga tregu i punës kërkojnë vëmendje. Tkurrja e vendeve të punës nga recesioni dhe pasojat e tij kanë prekur në mënyrë disproporcionale gratë dhe të rinjtë, mund të frenojnë përpjekjet për tu përfshirë në forcën e punës.
Papunësia e të rinjve në rajon u rrit në 37.7 për qind në 2021, me 5.4 pikë përqindjeje më shumë nga qershori 2020, duke përkeqësuar më tej perspektivat e punësimit të të rinjve.
“Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor shikojnë drejt një të ardhme post-pandemike, qasja e tyre në politikë do të duhet të përqendrohet në adresimin e pengesave kryesore në krijimin e vendeve të punës dhe transformimin ekonomik, përfshirë tranzicionin e gjelbër”, tha Linda Van Gelder, Drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Të gjashtë vendet do të përfitonin nga reformat në mjedisin e biznesit, qeverisjen dhe dixhitalizimin, të cilat do të kontribuonin në rritje dhe do të mbyllnin hendekun me vendet e BE -së.”
Raporti gjithashtu shikon sfidat makro-fiskale dhe nxitësit e gjelbërimit të rritjes së rajonit. Ballkani Perëndimor tani e gjen veten në një pikë kyçe vendimi në lidhje me tranzicionin e afërt të gjelbër.
Përparimet globale drejt veprimit të klimës po shkaktojnë ndryshime themelore në shoqëri. Preferencat e konsumatorëve dhe investitorëve po ndryshojnë, teknologjitë e miqësore me klimën po bëhen faktor vendimtar në konkurrencën ndërkombëtare dhe aftësinë për të tërhequr financa dhe investime ndërkombëtare.