Borxhi publik i Kosovës në tremujorin e dytë të këtij viti ka arritur në 1.6 miliardë euro, që është për 24.3 përqind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 23.2 përqind, nga 18.2 përqind sa ishte në tremujorin e dytë 2020.
Sipas raportit të BQK-së mbi zhvillimet makroekonomike, rritja e borxhit publik i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 20.0 përqind (që ka arritur në 1.06 miliardë euro), si dhe rritjes sё borxhit tё jashtëm publik pёr 33.1 përqind (qё ka arritur nё 571.6 milionë euro).
“Pragu i borxhit publik i paraparë me ligj në Kosovë është 40 përqind e BPV-sё, rrjedhimisht niveli i borxhit publik prej 23.2 përqind e mbanë Kosovën në pozitën e vendit me shkallën më të ulët të borxhit publik krahasuar me vendet e rajonit.
Sidoqoftë, ky nivel i ulët i borxhit publik mund të rritet shpejt në të ardhmen si rezultat ndikimeve negative të pandemisë Covid-19 në ekonominë e Kosovës dhe planeve të qeverisë për ta financuar deficitin buxhetor nëpërmjet borxhit publik”, thuhet në raport. /Buletini Ekonomik/