Borxhi publik i Malit të Zi, pa depozita, ka arritur në fund të gushtit të këtij viti 4.5 miliardë euro, gjegjësisht 87.37 për qind të Prodhimit bruto vendor (BPV). Këto shifra i tregojnë të dhënat preliminare të Ministrisë së Financave dhe Përkujdesit Social të Malit të Zi.
Kjo është hera e parë që shteti malazez ka shënuar rënien nominale të borxhit që nga pavarësia 2006, shkruan gazeta Viesti e Podgoricës, transmeton Buletini Ekonomik.
Sipas vlerësimeve të tanishme preliminare, rritja e BPV-së arrin në rreth 13 për qind, që është mbi nivelin e projektimit për 2021, ndërsa ende priten të dhënat për tremujorin e tretë dhe të katërt.
Është evidente se do të arrihet rezultat edhe më i mirë në zvoglimin e borxhit të shtetit kanë theksuar për Viestin në Ministrine e Financave të këtij vendi.
Sipas të dhënave preliminare, borxhi i jashtëm i Malit të Zi tani është 3.62 miliardë euro, ose 78.21 për qind e BPV-së. Ndërsa borxhi I brendshëm është rreth 424.55 milionë euro, ose 9.16 për qind e PBV-së.
Borxhi i jashtëm i Malit të Zi në fund të vitit të kaluar ka qenë 4 miliardë e 400 milionë euro, përkatësisht 105.15 për qind e BPV-së, përkujton gazeta e Podgoricës./Buletini Ekonomik/