Duke filluar nga 1 Tetori, qytetarët e Bashkimit Europian nuk do të mund të udhëtojnë më në Britani vetëm me kartat e identitetit. Kjo është një masë e parashikuar në marrëveshjen e Brexit dhe, sipas ministrit të brendshëm Priti Patel, qëllimi është kontrolli i kufijve dhe parandalimi i hyrjes së kriminelëve në vend me dokumente të falsifikuara.
Për më tepër, nga e hëna, 4 tetor hyrja në Angli është lehtësuar për ata që do të udhëtojnë nga jashtë. Para së gjithash, sistemi me tre zona të kuqe-portokalli, jeshile, i cili është imponuar për shkak të pandemisë, është shfuqizuar dhe rendit secilin vend sipas situatës së tij epidemiologjike.
Do të ketë vetëm zona “të kuqe”, të cilat do t’i nënshtrohen kritereve shumë të rrepta. Kjo listë aktualisht përfshin 54 vende, shumica larg Europës përveç Malit të Zi dhe Tunizisë. Për të gjitha shtetet e tjera, udhëtarët e vaksinuar plotësisht nuk do të kenë më nevojë të bëjnë testin para nisjes.
Por është ende e nevojshme të plotësohet dokumenti PLF, certifikata e vaksinimit si dhe një test tjetër që do të kryhet ditën e dytë të mbërritjes së tyre. Por testi nga mesi i tetorit pritet të bëhet shumë më i lirë dhe madje të blihet në supermarkete, sipas burimeve qeveritare.