Detajet nga buxheti i miratuar për vitin 2022

Dje Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 43-të, në të cilën me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është votuar Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Në njoftimin e Ministrisë së Financave në facebook thuhet se buxheti i parashikuar për vitin 2022 është më i larti dhe më gjithpërfshirësi ndonjëherë, duke kapur vlerën prej 2 miliardë e 748 milionë euro, apo 8.7% rritje krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.

Sipas tyre, të hyrat buxhetore pritet të jenë në vlerë prej 2 miliardë e 364 milionë euro, gjë që paraqet rritje prej 15% në krahasim me vitin paraprak.

Reklama e sponzorizuar

“Projketbuxheti i vitit 2022 ka për qëllim konsolidimin e ringjalljes ekonomike, sigurimin e qëndrueshmërisë së financave publike, ri-orientimin e ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, si dhe përkrahjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, sipas MF-së, përkitazi me Programin Qeverisës 2021-2024, buxheti i planifikuar për vitin 2022 parasheh investime e ndarje buxhetore në çdo lëmi që prek jetën e qytetarit, e që ndikon në ngritjen e mirëqenies qytetare.

Ndërkohë,ata thonë se në mënyrë më specifike, buxheti i planifikuar për vitin 2022 parasheh investim në arsim e edukim me ndërtimin e 50 çerdheve të reja në tërë vendin, shkollimin falas për të gjithë studentët, si dhe ndarjen e 2 mijë bursave shtesë për studentët më të mirë. Më tutje, Buxheti i vitit 2022 synon të ndihmojë edhe ekonominë familjare me ndarjen e 45 milionë euro për të mbeshtetur nënat me Shtesat për Lehona e Shtesat për Fëmijë, ndarjen e 35 milionë eurove më shumë për kategoritë pensionale e sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, dhe shtesat për skemat sociale prej 30% të bëhen të përhershme. Rritja e punësimit është priortit kyç i Qeverisë, andaj 20 milionë euro janë ndarë për skemën e punësimit të garantuar për të rinjte dhe mbështetjen e bizneseve startup. Gjithashtu, mbi 70 milionë euro janë ndarë për bujqësi e 40 milionë euro për mbështetjen e prodhuesve vendor. Në aspekt e shëndetësisë, Buxheti i vitit 2022 parasheh edhe 24 milionë euro buxhet shtesë për sigurimin e barnave esenciale.

“Me këtë buxhet, gjithashtu do të niset ndërtimi i rrugës Prizren – Tetovë, do të fillojë projekti i  banimit social e të përballueshëm, policia e zjarrfikësit do të pajisjen me pajisje moderne e të sigurta, do të financohen investimet në ndërmarrje publike, dhe për herë të parë do të këtë mbështetje për Luginën e Preshevës, në shumë prej 2 milionë euro”, shkruan tutje në njoftim./Buletini Ekonomik/