Dogana e Kosovës ka njoftuar sot se ka arritur që për herë të parë që nga themelimi i saj të grumbulloj mbi 1 miliardë euro të hyra.
Sipas Doganës, rritja e të hyrave në mënyrë direkte i atribuohet zhdoganimit të rregullt të mallrave të deklaruara sipas procedurave të përcaktuara nga vet Dogana, përcjell Buletini Ekonomik.
Në një konferencë për media, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka theksuar se vetëm gjatë vitit 2021 për periudhën kohore 01 Janar- 30 Shtator, Dogana ka arritur të tejkalojë projeksionet e rishikuara të të hyrave për 6.51%.
Ndërkaq, krahasuar me të hyrat e vitit 2020 për të njëjtën periudhë, këtë vit është shënuar një rritje për 33.74% të të hyrave të inkasuara. Kurse krahasuar me projeksionin për tërë vitin 2021, nga Dogana thanë se kanë arritur të grumbullojnë mjetet në lartësi prej 80% të buxhetit të planifikuar.
Mirëpo, në këtë performancë një ndikim mjaft të madh e kanë pasur edhe aktivitetet e orientuara në parandalim të kontrabandës, evazionit fiskal dhe korrupsionit si dhe dukurive tjera, të cilat si indikatorë kanë shënuar rritje në krahasim me periudhën paraprake, pohojnë nga Dogana.
Gjatë konferencës, Llugaliu tha se gjatë këtij viti janë arrestuar 13 persona të dyshimtë, 2 prej të cilëve janë zyrtarë doganor, të cilët janë zënë në flagrancë duke lehtësuar kontrabandën me medikamente në njërin rast, ndërkaq në rastin tjetër njëri zyrtar doganor është arrestuar për mit marrje”
“Angazhimi maksimal i zyrtarëve doganor është shumë kontribut dhënës në gjithë këtë proces. Megjithatë të gjitha këto suksese te Doganës janë arritur duke pasur ne vazhdimësi përkrahjen nga institucionet e Qeverisë se Republikës se Kosovës, MFPT, vendet partnere të BE-se, asistencën nga organizatat qeveritare Amerikane, sidomos te programit EXBS, asistencën nga ambasada Britanike dhe ambasadat e shteteve tjera mike, agjencitë tjera të pavarura, përfaqësuesit e bizneseve, mediat, partneret tanë vendor etj”, tha tutje drejtori i Doganës gjatë konferencës. /Buletini Ekonomik/