Bimët mjekësore shqiptare, vijojnë të mbeten produktet bujqësore më të kërkuara nga tregjet e huaja.
Me rreth 500 ha sipërfaqe të kultivuar me këto bimë, Shqipëria kryeson në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë një takimi që zhvilloi me prodhues dhe përpunues të këtij sektori, tha se “bimët medicinale dhe aromatike janë aset i vyer bujqësor dhe ekonomik për vendin që orienton tregun për eksporte në mbi 45 vende të botës”.
“Shqipëria është e bekuar me bimë medicinale dhe ka potenciale të pashfrytëzuara mjaftueshëm edhe për prodhim organik”, theksoi Krifca.
Ajo tha se ka biseduar me një pjesë të prodhuesve dhe përpunuesve të këtij sektori ku ka avantazhe konkurruese.
“Kemi bërë plot punë të mira me modelet e zhvillimit por ka shumë ende për të bërë për të rritur produktivitetin e për ta çuar në piedestalin që i takon këtë sektor që punëson mijëra familje fermerë në zona mjaft të thella rurale”, u shpreh Krifca.