Euro fitoi terren në kursin e këmbimit me Lekun për të pestën ditë radhazi ditën e martë.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 121.65 Lekë dhe që nga e marta e kaluar ka fituar 0.36 Lekë. Ekspertë të këmbimit valutor nga sektori bankar shprehen se mbiçmimi i Lekut në ditët e fundit mund të lidhet me disa arsye.
Një ndikim të lehtë mund të ketë pasur ankandi i blerjes së valutës që u krye të hënën në Bankën e Shqipërisë. Por, vala e rritjes së çmimeve dhe shtrenjtimi i mallrave të importit mund të jetë një faktor më i rëndësishëm, që po krijon pritshmëri për rritje të kërkesës për Euro në treg. Në mënyrë më specifike, një produkt që mund të ndikojë raportet në kursin e këmbimit është energjia elektrike. Vlera e blerjeve të energjisë elektrike nga importi në vazhdim pritet të jetë e lartë, për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të energjisë në bursa.
Kjo ka sjellë rritje të kërkesës për valutë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ndërsa pritshmëritë janë sërish për rritje gjatë javëve në vazhdim. Në tërësi, vala e rritjes së çmimeve mund të ketë një impakt të ndjeshëm negative në bilancin tregtar të vendit. Për muajin shtator, deficiti tregtar u rrit me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa për 9-mujorin 2021, deficiti tregtar rezultoi në rritje me 23.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Keqësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë në teori do të ushtrojë presione nënçmuese në kursin e këmbimit të monedhës kombëtare, sidomos kundrejt Euros, që është edhe monedha kryesore në të cilën realizohen importet e vendit. Në ankandin e programuar që u zhvillua dje, edhe Banka e Shqipërisë dha një sinjal të lehtësimit të kërkesës për Euro, duke blerë sasi ndjeshëm më të ulët valute krahasuar me ankandet e mëparshme dhe me mesataren e gjysmës së parë të vitit.
Deri tani, kursi i këmbimit në vjeshtën e këtij viti ka shfaqur një ecuri jo shumë të zakonshme krahasuar me sjelljen e tij historike. Zakonisht, në këtë periudhë të vitit Euro ka rifituar pike, pas nënçmimit të zakonshëm sezonal që pëson në muajt e verës. Një e gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur dhe agjentët e tregut e shpjegojnë me ofertën e lartë të Euros në treg.
Vetëm në javën e fundit Euro po jep sinjale forcimi ndaj Lekut, megjithatë, deri tani revanshi i Euros në kursin e këmbimit ngelet i kufizuar. Kursi i këmbimit Euro Lek është 2.25 pikë ose rreth 1.8% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Aktualisht, kursi është afërsisht në të njëjtat nivele me fillimin e muajit gusht, që zakonisht shënon momentin më të favorshëm për Lekun në kursin e këmbimit me Euron. Megjithatë, vala e rritjes së çmimeve duket se mund t’i ndryshojë disi perspektivat e kursit të këmbimit në afatin e shkurtër, duke favorizuar pritshmëritë për një mbiçmim të Euros kundrejt Lekut. /Monitor.al/