Euro ngjitet në mbi 1.06 dollar – Investitorët presin takimet e Bankës së Japonisë, FED dhe BoE

Euro e ka nisur në rritje këtë javë, përballë dollarit amerikan, duke u ngjitur sërish mbi nivelin teknik të 1.06. Investitorët po presin takimet e bankave qëndrore më vonë gjatë javës, të cilat pritet të mos ndryshojnë normat e interesit, dhe disa të dhëna ekonomike.

Banka e Japonisë filloi sot takimin 2-ditor të politikave monetare dhe do të pasohet nga Rezerva Federale dhe nga Banka e Anglisë. Gjithashtu, ecuria e tregut të monedhave do të përcaktohet edhe nga të dhënat mbi inflacionin dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto në Eurozonë. Analistët mendojnë se dollari amerikan do të dominojë përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, gjatë kësaj jave.

Por, deficitet në rritje dhe barra e shtuar e normave të interesit kanë rritur ndjeshëm nevojën për financim të Thesarit në SHBA. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 106.4.

Reklama e sponzorizuar

Në anën tjetër, monedha europiane ka gjetur një mbështetje nga të dhënat që treguan një ngadalësim të inflacionit në Gjermani. Gjithashtu, një tjetër raport tregoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto në ekonominë më të madhe të Europës u kontraktua me 0.1% në tremujorin e tretë të vitit.

Megjithatë, kjo ishte një shifër më e mirë se parashikimet e analistëve. Mes mbledhjeve të tre bankave qendrore, Banka e Japonisë po tërheq vëmendjen më të madhe, duke pasur parasysh se janë shtuar spekulimet për ndryshimin e politikës monetare.

Fed dhe BoE pritet t’i mbajnë të pandryshuara normat e interesit, kështu që, duke përjashtuar ndonjë surprizë, fokusi do të jetë i përqëndruar më shumë rreth mesazheve që do të komunikojnë politikëbërësit. /Scan tv/