Shërbimi Këshillimor Bujqësor Rural i Kosovës ka njoftuar fermerët kosovarë se në këtë periudhë që jemi është momenti më i volitshëm i mbjelljes së kulturës vjeshtore, grurit.
Ata kanë rekomanduar bujqit që t’i përcjellin kushtet atmosferike dhe të gjejnë momentin më të volitshëm për mbjellje varësisht nga vendi ku jetojnë dhe llojin e tokës që posedojnë.
“Ju sugjerojmë që të kryeni punimin themelor të tokës, pra përgatitjen për mbjellje të tokës me grurë”, thonë ata në njoftim.
Ky shërbim këshillimor për bujqësinë në Kosovë apelon te fermerët që të kenë kujdes në përzgjedhjen e farës dhe plehut cilësor, dhe për çdo këshillë të nevojshme ata mund të bashkëpunojnë me ekspertët komunalë dhe me ekspertë të shitjeve të imputeve.
“Për informata shtesë mund të kontaktoni këshilltarët në teren, ku në secilën komunë mund të lajmëroheni në Drejtorinë apo Zyrën për Bujqësi, ose në zyrën qendrore të shërbimit këshillimor në Departamentin e Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Rr. “Ukshin Hoti”, Kompleksi “Ramiz Sadiku”, nr. 120 kati III, Prishtinë, ose në tel. 383 (0) 38 200 38426”, vazhdon njoftimi i tyre. /Buletini Ekonomik/