Kreditë e ekonomive familjare për tre muaj u rritën për 205% krahasuar me vitin e kaluar

Kreditë e ekonomive familjare në Kosovë vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti janë rritur për 205% më shumë sesa një vit më parë në të njëjtën periudhë.  Ndërkohë, në krahasim me vitin 2019, vit ky që nuk kishte pandemi, sivjet në këtë periudhë ka një rritje prej vetëm 43%, përcjell Buletini Ekonomik.

Raporti i Ministrisë së Financave dhe Transfereve- “Buletini Ekonomik Tremujor -Prill- Qershor 2021”, tregon se në përgjithësi tremujori i dytë i vitit 2021 u karakterizua me rritje të kredive të reja prej gjithsej 136%, krahasuar me vitin 2020 në Tremujorin e dytë, apo 23% më shumë sesa në vitin 2019 në të njëjtën periudhë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas kalkulimeve të Ministrisë së Financave, kjo reflekton rritjen më të madhe tek kreditë e korporatave jo-financiare prej 98% krahasuar me një vit më herët, apo 10% më shumë sesa në periudhën e njëjtë para pandemisë.

“Po ashtu, kreditë e ekonomive familjare shënuan rritje prej 205% krahasuar me vitin e kaluar, dhe 43% më shumë se në 2019 T2. Depozitat e reja në tremujorin e parë të këtij viti, shënuan rritje vjetore prej 6.53%”, thuhet në raport.

Pra, edhe depozitat në vendin tonë gjatë periudhës së tremujorit të parë kanë shënuar një rritje vjetore prej 6.53%. Kjo rritje, ishte e shtyrë kryesisht nga rritja vjetore në depozitat e korporatave jo-financiare prej 3.7%, dhe rritja në depozitat e reja të ekonomive familjare prej 7.6%, konstatojnë nga ministria.

Ndërkaq, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, depozitat e reja këtë vit mbesin për rreth 36% më të ulëta.

E norma efektive e interesit për kreditë e reja për tremujorin e parë të vitit 2021 ishte mesatarisht 6.1%, ndërsa ajo për depozitat e reja ishte mesatarisht 1.5%.

Kurse, kreditë jo-performuese gjatë tremujorit të dytë ishin 3.2 % të totalit të kredive, duke treguar kështu një përkeqësim nga ecuria e kaluar. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/