Kryetarit të Bordit të BQK-së i pezullohet puna në UP

Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Flamur Mrasori, tanimë nuk do të mund ta ushtrojë edhe profesionin e profesorit në Universitetin e Prishtinës, pasi ky i fundit ia ka pezulluar marrëdhien e punës deri në përfundimin e mandatit në BQK.

Mrasori deri më tani ka qenë profesor asistent në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ndërsa, në pozitën e Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës është emëruar që nga viti 2018, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas ligjit për BQK-në, asnjë person nuk do të shërbejë në organet vendimmarrëse të BQK-së përderisa është është anëtar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i Qeverisë, zyrtar i një ministrie të Qeverisë ose i ndonjë entiteti publik tjetër, ose zyrtar a punëtor i një institucioni financiar, i cili vepron me zyrat e tij në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Nga Universiteti i Prishtinës për Buletinin Ekonomik është thënë se me qëllim të zbatimit të vendimit Nr. 3/881, të datës 11/12/2020 të Këshillit Drejtues, me anë të të cilit përcaktohet statusi i personelit mësimdhënës të UP-së kur emërohet në poste publike, UP-ja ka marrë vendim që prof. ass. dr. Flamur Mrasori, mësimdhënës në marrëdhënie të rregullt pune në Fakultetin Juridik të UP-së, duke nisur nga data 30 shtator 2021, t’i pezullohet vendi i punës.

“Ju njoftojmë që, Universiteti i Prishtinës, me qëllim të zbatimit të vendimit Nr. 3/881, të datës 11/12/2020 të Këshillit Drejtues, me anë të të cilit përcaktohet statusi i personelit mësimdhënës të UP-së kur emërohet në poste publike, ka marrë vendim që prof. ass. dr. Flamur Mrasori, mësimdhënës në marrëdhënie të rregullt pune në Fakultetin Juridik të UP-së, duke nisur nga data 30 shtator 2021, të i pezullohet vendi i punës”, thuhet në përgjigjet e Universitetit të Prishtinës.

Sipas tyre, pezullimi i punës për Mrasorin do të zgjasë deri në përfundim të mandatit të tij si anëtar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. Mirëpo, gjatë periudhës së pezullimit të vendit të punës, nga Rektorati i UP-së thonë se Mrasori nuk do të mund t’u nënshtrohet procedurave të avancimit, ndërkaq sa i përket kompensimit, ai do të kompensohet vetëm për orët e mbajtura në cilësi të bashkëpunëtorit të jashtëm.

Në një përgjigje të shkurtër për Buletinin Ekonomik, vet Mrasori tha se është sqaruar me mediat tjera dje, dhe se nuk ka çka të shtojë tjetër përpos asaj që ka thënë.

E në deklaratën e tij për kallxo.com, Mrasori kishte thënë se e ka pranuar vendimin e UP-së për pezullimin e marrëdhënies së punës dhe se do t’i respektojë të gjitha vendimet e nxjerra nga organet drejtuese të UP-së.

“Është e vërtetë që kam pranuar Vendim për pezullim të marrëdhënies së rregullt të punës në UP deri në përfundim të mandatit në BQK (njëjtë siç kanë pranuar besoj edhe zyrtarët tjerë publik) dhe i cili është efektiv nga data 30 shtator 2021. Mund të them që ka pasur kërkesa edhe nga menaxhmentet paraprake ku çdoherë kam reflektuar dhe në bashkëpunim me to kemi arritur me sukses dhe në pajtueshmëri me ligjin t’i adresojmë çështjet e ngjashme. Ashtu do të ndodhë edhe tani. Çdo vendim të organeve drejtuese duhet ta respektoj unë dhe çdo staf tjetër akademik me qëllim të rritjes së cilësisë dhe efektivitetit! Sa herë që ka vendime të tilla apo të ngjashme mund të pajtohemi apo jo por shkalla e kompleksitetit të tyre nuk është aq e lartë sa për t’u mos u zgjidhur edhe brenda përbrenda UP-së”, ka thënë tutje Mrasori. /Buletini Ekonomik/