Monedha turke Lira, ka rënë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, pasi presidenti Rexhep Tajip Erdogan urdhëroi sërish shkarkimin e një sërë zyrtarësh në bankën qendrore.
Në një dekret të publikuar natën vonë, disa orë pasi u takua me Sahap Kavcioglu, kreun e Bankës Qendrore, Erdogani shkarkoi nga detyra dy zëvendësguvernatorë.
Ugur Namik Kuçuk ishte i vetmi nga tetë anëtarët e komitetit të politikës monetare të bankës, që kundërshtoi uljen e normës së interesit që tronditi investitorët ndërkombëtarë muajin e kaluar, sipas një personi me dijeni mbi çështjen.
Ka pasur raportime se Semih Tumen, mund të zërë vendin e ish-kreut të bankës, Kavcioglu.
Presidenti gjithashtu shkarkoi nga detyra Abdullah Yavas, një anëtar të vjetër të komitetit të politikës monetare, i cili ishte përballur me kritika në mediat turke, për shkak se jeton në SHBA.
Monedha Lira, e cila ishte nën presion për shkak të forcimit të Dollarit Amerikan dhe shqetësimeve të investitorëve në lidhje me politikën ekonomike dhe politikën e jashtme të Turqisë, ra me 1 për qind brenda natës duke arritur në vlerën 9,19 TL ndaj Dollarit. Monedha ka vite që është në rënie, duke humbur 59 përqind të vlerës së saj kundrejt dollarit, që nga fillimi i vitit 2018. / Financial Times