MINT miraton tri projektligje, në mesin e tyre edhe ai për Mbrojtjen e Konkurrencës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës ka miratuar tri projektligje, Projektligjin për patentat, për Dizajnin Industrial dhe atë për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Në njoftimin e bërë nga Ministria e Industrisë (MINT), thuhet se projektligji për patentat, si njëri prej pesë akteve të reformës ligjore në fushën e pronësisë industriale, parasheh saktë përgjegjësitë e Agjencisë së Pronësisë Industriale, si dhe thjeshton procedurat administrative dhe pritet të rrisë efiçiencën dhe efektshmërinë e tyre.

Ky projektligj po ashtu pritet që t’i përcaktojë qartë kushtet dhe mënyrën e regjistrimit të patentës, njohjen e së drejtës së përparësisë, si dhe pajisjen me certifikatë të mbrojtjes suplementare.

Reklama e sponzorizuar

“Përfundimisht, Projektligji për Patentat avancon infrastrukturën ligjore në fushën e pronësisë industriale, duke e sjellë atë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian, siç parashihet me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. MINT ka ndjekur të gjitha procedurat e parapara për këtë nismë legjislative”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ndërkohë, Projektligji për Dizajnin Industrial është projekti tjetër i reformës në fushën e pronësisë industriale, po ashtu i hartuar në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Projektligji në fjalë do të përcaktojë rregulla të thjeshta të procedurave që duhet ndjekur për të mbrojtur dizajnin industrial, që ngërthen punën krijuese e cila cakton formën dhe veçoritë e produktit, duke iu dhënë mbrojtje të duhur si pronarëve vendas ashtu edhe pronarëve të huaj, dhe duke mundësuar kështu edhe njohjen e regjistrimit ndërkombëtar.

“Gjithashtu përmirëson mbrojtjen e dizajnit industrial përmes rrugëve gjyqësore, që në rastin e Republikës së Kosovës nënkupton Gjykatën Komerciale. Projektligji për Dizajnin Industrial është hartuar në përputhje me rregulloren e punës së qeverisë dhe legjislacionin e zbatueshëm për hartimin e akteve normative, duke pasur parasysh veçanërisht rolin e projektligjit në nxitjen dhe mbrojtjen e industrisë prodhuese”, shpjegojnë tutje nga ministria.

Në këtë mbledhje të Qeverisë është miratuar gjithashtu edhe Projektligji për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili do të mbulojë zbrazëtitë dhe pritet t’i sanojë të metat e legjislacionit të deritanishëm.

MINT thotë se ka hartuar këtë projektligj me përpikëri, duke marrë parasysh vërejtjet e ekspertëve në rangun evropian dhe duke i kushtuar një rëndësi të veçantë gjuhës së përdorur.

Ky projektligj me rëndësi, pritet të përcaktojë procedurat që ndjek Autoriteti i Konkurrencës në hetimin e parregullsive në treg, do t’i përkufizojë marrëveshjet dhe veprimet e ndaluara që cenojnë konkurrencën, si dhe parasheh gjoba të efektshme në pajtim me legjislacionin e BE-së.

Sipas Ministrisë, Mbrojtja e konkurrencës është jetike për Kosovën, veçanërisht në këtë periudhë të qeverisjes së re dhe të sfidave të pandemisë nga Covid-19. Prandaj, ata thonë s Autoriteti i Konkurrencës duhet të funksionalizohet sa më parë dhe të ketë bazën e duhur juridike për të vepruar në përmbushje të misionit të vet. /Buletini Ekonomik/