Murati: Nga sot fillon subvencionimi i kredive konsumuese

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se si ministri sot kanë operacionalizuar Masën 3.6 për mbështetjen e likuiditetit familjar, që nënkupton subvencionimin e kredive konsumuese.

Sipas njoftimit të ministrit, nga kjo masë mund të përfitojnë të gjithë personat që marrin kredi konsumuese deri në shumën 10,000 euro, nga data 1 tetor 2021 e tutje, do të mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë.

Shuma të cilën do ta përfitojë secili aplikues që kualifikohet si përfitues i mundshëm do të jetë 10% i shumës totale të kredisë dhe maksimumi i përfitimit do të jetë 300 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Kështu, përshembull:

-Nëse kredia është 1,500 euro, subvencionimi do të jetë 150 euro;

-Nëse kredia është 3,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro;

-Nëse kredia është 5,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro.

Mirëpo, çka duhet të bëni për të përfituar nga kjo masë?

Nga ministria thonë se “pasi të keni marrë kredinë nga një institucion financiar i licencuar, duhet të plotësoni formularin për aplikim (i cili do të publikohet ditët në vijim)”.

Ndërkohë, pas konfirmimit të saktësisë së aplikacionit, subvencioni do të paguhet direkt në llogarinë bankare të kredimarrësit.

“Me këtë masë synohet mbështetja e likuiditetit familjar, për të mbuluar shpenzimet sezonale familjare, shpenzimet e shkollës, mbylljen e bilanceve të kredit kartelave, apo çfarëdo shpenzimi tjetër që sadopak do të lehtësonte barrën e familjes”, përfundon njofttimi i ministrit Murati. /Buletini Ekonomik/