PDK: Qeveria e paaftë për t’u përballur me krizën energjetike

Energjia elektrike

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka cilësuar si të paaftë Qeverinë e vendit për t’u përballur me krizën energjetike që pritet në muajt në vijim, për shkak të ngritjes enorme të çmimit të energjisë në Evropë.

Sipas PDK-së, Qeveria e Kosovës e ka lënë vendin tërësisht të papërgatitur për t’u përballë me pasojat e mundshme.

“Gjatë muajve të fundit, mbarë Evropa është duke përjetuar rritje marramendëse të çmimeve të energjisë elektrike, ndërsa Qeveria e Kosovës po tregohet neglizhente dhe nuk ka marrë asnjë masë për të adresuar këtë krizë që po i afrohet me shpejtësi edhe Kosovës. Aktualisht, çmimi i rrymës në bursat e energjisë në rajonin tonë, ka arritur në trefishin e çmimit të një viti me parë, ndërkohë që jemi ende larg dimrit – kur edhe pritet të arrijë kulmi i çmimit. Kjo krizë ndërkombëtare kërcënon furnizimin e rregullt dhe me çmime të pa përballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar kështu stabilitetin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe vetë sigurinë kombëtare”, thuhet në një reagim të PDK-së të shtunën.

Reklama e sponzorizuar

Sipas kësaj partie, duke e ditur se Kosova s’arrin t’i përmbushë as nevojat e saj në pikun e konsumit gjatë dimrit dhe varet nga importi në këtë periudhë, “do të duhej që Qeveria të planifikonte muaj më parë për dimrin, duke siguruar më herët kontrata për blerjen e energjisë në atë periudhë kur çmimi në bursat e energjisë ishte ende i ulët”.

PDK-ja tutje shton se kriza energjetike mund të bëjë pagesën e rrymës tejet të rëndë e të vështirësojë furnizimin e rregullt dhe pa ndërprerje në Kosovë.

“Nëse nuk merren masa të shpejta nga Qeveria, kjo situatë rrezikon t’i dëmtojë rëndë bizneset kosovare që ende nuk e kanë marrë veten nga kriza e pandemisë. Po ashtu, cenon mirëqenien e familjeve që gjatë dimrit harxhojnë një pjesë të mirë të të ardhurave për ngrohje”, ka reaguar PDK-ja.

Sipas kësaj partie, “Qeveria e Kosovës jo vetëm që është treguar e paaftë dhe e papërgjegjshme për t’i paraprirë adresimit të gjendjes së vështirë energjetike të dimrit, por edhe ka ndërmarrë veprime të dëmshme në fushën e energjisë”.

Kjo parti ka thënë më tej se mosvazhdimi me projektin e gazit është kundër interesit të Kosovës.

“Dështimi i projektit të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe bllokimi i projektit për infrastrukturën e gazsjellësit dhe termocentralit me gaz shkojnë ndesh me interesin e Kosovës për të pasur pavarësi energjetike dhe shtim e diversifikim të burimeve të saj prodhuese të energjisë. Për më keq, është revoltues edhe lajmi për bllokimin e disa investimeve strategjike në energji të ripërtëritshme. Prandaj, PDK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të tregohet e përgjegjshme dhe të angazhohet menjëherë për të siguruar sa më shpejtë kontrata për blerje dhe transmetim të energjisë me çmim sa më të arsyeshëm për muajt që vijnë, në mënyrë që të garantojë sigurinë e furnizimit me rrymë të mjaftueshme në muajt e ardhshëm. Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet maksimalisht edhe për të mirëmenaxhuar rrymën, për të reduktuar humbjet dhe shpërdorimet e rrymës, si dhe për të shtuar rezervat e hidrokarbureve në vend”, thuhet në fund të reagimit të PDK-së.

Rritja e çmimeve të energjisë elektrike në Evropë prodhoi të premten efektet e para në ekonominë e Kosovës. Fabrika e Ferronikelit ka pezulluar punën, ndërsa KEDS-i ka paralajmëruar mundësinë e shtrenjtimit të tarifave për konsumatorët. Në shoqërinë civile i kanë bërë thirrje Qeverisë për t’u përgatitur që të ballafaqohet me krizën energjetike që pritet.