Pemët dhe perimet me luhatje të çmimeve, prinë fasulja me rritje ekstreme

Përveç shtrënjtimit të produkteve esenciale ushqimore në Kosovë, luhatje çmimesh janë vërejtur edhe tek pemët dhe perimet.

Kohëve të fundit, në shporten e qytetarëve në vend, ato nuk mund të jenë me çmimet e njejta për shkak se këtyre ditëve të nëntorit ato po tregtohen me çmime ndjeshëm më të larta.

Kjo rritje është vërejtur duke filluar nga fasulja e cila është një nga ushqimet më të preferuara të qytetarëve.

Reklama e sponzorizuar

Në bazë të dhënave të Agjensisë së Statistikave të Kosovës, (ASK) rritja e çmimit të pemëve dhe perimeve për peridhën e shtatorit ka qenë për 0.5 për qind.

Çmimi i fasulës këtë vit është rritur në 2 euro e 54 centë për kilogram, ndërkohë që në vitin 2010, çmimi i këtij produkti ka qenë vetëm 1 euro e 88 centë për kilogram.

Gjithashtu, të dhënat statistikore të ASK-së po dalin të jenë të stërvjetruara pasiqë çmimi i fasulës është thuaja dyfishin e atij që ka evidentuar ASK-ja. Në tregun e gjelbër të Prishtinës, por edhe në shitoret e pemëve dhe perimeve si dhe markete e minimarkete, ditëve të fundit një kilogram fasule “të Pejës”, prodhim i sivjetshëm, tregtohet me 4 euro 50 centë, po kështu fasulja e  importuar nga Shqipëria që emertohet si fasule e Korçës shitet në Prishtinë thuaja gjithandej me 4 euro.

Ndërkaq prodhimet e vitit të kaluar të këtij produkti tregtohen paksa më lirë. Mund t’i gjesh mbase kilogramin edhe me 2 euro e 50 centë, ose edhe deri 3 euro e 50 centë.

Në marketet në Prishtinë, çmimi i një kilogrami të fasules është rritur për 40 centë.

Aktualisht një kilogram i fasules nëpër markete kushton 3 euro e 90 centë, nga 3 euro e 50 centë sa ishte muaj më parë.

Menaxheret e marketeve të kryeqytetit kanë thënë se edhe pse ka pasur ngritje të çmimeve këtë periudhë nuk ka paralajmërime nga furnizuesit për rritje të mëtejme.

“Rritje dhe luhatje të çmimeve ka pasur në këtë periudhë thuaja të të gjitha produktet, mirëpo ne nuk kemi marrë ndonjë paraljmërim nga furnizuesit se do të ketë akoma rritje më të madhe të këtyre produkteve, ose edhe atyre të tjerave që nuk kanë shënuar ndonjë ngritje”, ka thënë në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik njëri nga menaxheret e një marketi në Prishtinë.

Megjithatë, sa i përket rritjes së çmimeve te perimeve të tjera ose pemëve ai tha se nuk është vërejtur ndonjë rritje në çmim.

Krahas kësaj, edhe çmimi i patatës këtë vit, doli të jetë rekord në krahasim me vitet e tjera. Në vitin 2010 qytetarët kanë pasur mundësinë ta marrin 1 kilogram me patate për 39 centë, ndërkohë që në vitin 2019 çmimi i tij është ngritur në 58 centë e që më pas në vitin 2020 pesoj prapë një rënie me diku 35 centë për kilogram.

Ndërkohë që tani sipas ASK-së çmimi i një kilogram patate kushton 59 centë.

Ndërkaq, sa i perket çmimeve të pemeve, molla është ajo që pati ngritje të ndjeshme, pra nga 75 centë sa ishte kilogrami në vitin 2010, ajo u rrit në 1 euro e 14 centë sa është tani.

Përveç rritjes së çmimeve të pemëve dhe perimeve, rritje u pa edhe tek produktet e tjera si gruri, mielli, buka, vaji, orizi dhe sheqeri./Buletini Ekonomik/